Protesta të mëdha studentore në Beograd, Vuçiç paralajmëron për përplasje. Protesta masive të studentëve do të mbahen sot në Beograd, ndërsa presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pretendon se qëllimi i tyre është të nxisin luftë civile dhe të marrin pushtetin me dhunë.

Studentët, të cilët janë duke protestuar që nga fundi i vitit të kaluar, nisën protestat pas rrëzimit të një strehimore të Stacionit Hekurudhor në Novi Sad, ku humbën jetën 15 persona. Që atëherë, ata janë mbledhur në numër të madh në qytete të ndryshme të Serbisë, veçanërisht në Beograd, Novi Sad dhe Kragujevc.

Për sot janë paralajmëruar protestat më të mëdha deri më tani në Beograd, ku pritet të marrin pjesë studentë nga e gjithë Serbia. Kolonat e studentëve nga Serbia perëndimore, qendrore dhe jugore janë nisur drejt kryeqytetit në këmbë dhe me biçikleta. Ata u pritën mbrëmë në Terazije, në qendër të Beogradit, ndërsa gjatë rrugës morën mbështetje nga qytetarët e zonave që kaluan. Të gjithë do të mblidhen sot në mesditë në pika të ndryshme të Beogradit dhe në orën 16:00 do të marshojnë drejt Kuvendit të Serbisë.

Studentët beogradas, që do të jenë mikpritësit e protestës, kanë ofruar strehim falas për kolegët e tyre nga qytetet e tjera. Për ditë të tëra, ata kanë ndarë oferta për shtëpi, dhoma dhe apartamente në rrjetet sociale. Nga ana tjetër, qytetarë të ndryshëm janë angazhuar për të ndihmuar me gatimin dhe shpërndarjen e ushqimit.

Ndërkohë, përpara Presidencës së Serbisë në parkun Pionir janë mbledhur “studentët që duan të mësojnë”. Ata kanë paraqitur pesë kërkesa, duke përfshirë afate për rikthimin në auditorët universitarë. Ata disa herë kanë akuzuar “studentët në bllokadë” për sulme fizike dhe fyerje. Në anën e tyre është edhe presidenti Vuçiq, i cili ka deklaruar se këta studentë po përballen me dhunë fizike dhe verbale, por nuk po përgjigjen.

“Ata janë fajtorë vetëm sepse duan të mësojnë”, ka thënë disa herë Vuçiq, shkruan nova.rs.

Të enjten në mbrëmje, ai i ka pritur ata në Presidencë dhe i ka lutur të kthehen në shtëpi përpara protestave të sotme për të shmangur sulmet ndaj tyre. Megjithatë, ata kanë deklaruar se do të qëndrojnë në parkun Pionir.

Vuçiq pretendon se protestuesit e sotëm do të përpiqen të nxisin luftë civile dhe të marrin pushtetin me dhunë. Madje ka deklaruar se do të jetë në Presidencë gjatë protestave dhe se “nëse duan të marrin pushtetin me forcë, do të duhet ta vrasin atë”.

Se po përgatitet luftë civile, ka paralajmëruar edhe kryetarja e Kuvendit, Ana Brnabiq, e cila është referuar në disa video ku, sipas saj, shihen përfaqësues të partive politike, organizatave joqeveritare dhe “ata që fshihen pas plenumeve studentore”. Ajo ka pohuar se këta persona kanë përgatitur për ditë të tëra një “grusht shteti, dhunë dhe vrasjen e Aleksandar Vuçiqit”. Brnabiq ka bërë thirrje që organet kompetente të reagojnë urgjentisht.

Vuçiq, nga ana e tij, ka deklaruar të enjten se pjesëmarrësit në protestat studentore janë të paguar, transmeton Telegrafi.

“Unë e di si paguhet ardhja në Beograd për mitingje, e di çfarë paguani, e di si mblidhen këto para dhe si përvetësohen. Çdo aktivitet i organizuar në këto qendra rajonale është i financuar – transporti, ushqimi. Të gjitha paguhen. Unë ju pyes: kush i financon këto? A mendoni vërtet se shërbimet tona nuk funksionojnë dhe nuk dimë sa paguhet, veçanërisht kur ata vetë e ekzagjerojnë shumën?”, ka thënë Vuçiq.

Duke qenë se ai ka deklaruar se opozita do të organizojë dhunë gjatë protestave në Beograd, ata i janë përgjigjur duke thënë se për çdo akt dhune përgjegjës do të jetë ekskluzivisht ai.

“Ai (Vuçiq) po krijon një realitet paralel dhe tani po përpiqet të provokojë trazira dhe incidente, ashtu siç bëri me bandat e tij gjatë protestave në Beograd dhe Novi Sad. Qytetarët e Serbisë nuk kanë banditë të maskuar – ata i ka Vuçiq. Ai është ai që po përpiqet me çdo mënyrë të provokojë incidente. Duke folur për kontrarevolucion, ai po bën thirrje për dhunë”, ka thënë kryetari i Lëvizjes Popullore të Serbisë, Miroslav Aleksiq.
Opozita ka theksuar se ata nuk janë organizatorët e protestave, por studentët, dhe kanë kujtuar se deri më tani janë mbajtur shumë protesta pa asnjë rast dhune.

Vuçiq ka bazuar pretendimet për dhunë edhe në skenat e fundit në Kuvendin e Serbisë, ku janë përdorur flakadanë dhe mjete shpërthyese të zhurmshme, duke lënë të plagosur disa deputetë.

Një ditë para protestave të sotme, para Presidencës së Serbisë janë vendosur dhjetëra traktorë të sjellë nga rajone të ndryshme të vendit, pa targa identifikuese.

Ekspertët e sigurisë vlerësojnë se traktorët e parkuar janë një mjet presioni dhe synojnë të krijojnë frikë për radikalizimin e protestave, në mënyrë që numri i pjesëmarrësve në rrugë të jetë sa më i vogël.

Që nga fillimi i bllokadave në universitetet e Serbisë, studentët kanë paraqitur disa kërkesa. Ata kanë kërkuar publikimin e dokumentacionit të plotë mbi rikonstruksionin e Stacionit Hekurudhor, për të përcaktuar përgjegjësinë për aksidentin.

Kërkesa e dytë ka qenë hedhja poshtë e akuzave ndaj studentëve dhe të rinjve të arrestuar gjatë protestave pas shembjes së mbulesës në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit.

Kërkesa e tretë është ngritja e padive penale ndaj atyre që kanë sulmuar studentët dhe profesorët dhe ndjekja e tyre penale.