Mitingu i madh i protestës që duhet të jetë kulminacioni i demostratave disamujore dhe bllokimeve nga ana e studentëve, duhet të nis sot në orën 16:00 para ndërtesës së Parlamentit serb. Studentët, të cilët i kanë bllokuar fakultetet anembanë Serbisë për më shumë se tre muaj, kanë bërë thirrje për një protestë në Beograd më 15 mars.

Nga dje pasdite deri pas mesnatës, mijëra qytetarë të Beogradit kanë pritur studentët që mbërrijnë nga e gjithë Serbia, për të marrë pjesë në mitingun e madh të protestës që sot mbahet në Beograd me moton “Me 15-tin për të 15-tët”.

Kolona studentësh kanë mbërritur nga e gjithë Serbia, kurse në qendër të Beogradit ishte shtruar edhe tapeti i kuq dhe ishin ndezur fishekzjarret.

Sot Beogradi është pa transport publik. Autoritetet kanë njoftuar se të gjitha automjetet janë tërhequr nga rrugët.

Forca të shumta policore vërehen para shumë institucioneve serbe, kurse një pjesë e studentëve kishin vendosur që protesta të mbahet në sheshin “Slavija” e jo para Prlamentit serb, sic thonë, për të shmangur tensionet dhe trazirat e mundshme.

Studentët kanë dërguar mesazhe se kundërshtojnë sulmet ndaj institucioneve dhe sjelljet vandale duke bërë thirrje për unitet dhe përgjegjësi.

STUDENTËT NË BLLOKIME

“Nga dita e parë luftojmë kundër represionit dhe padrejtësisë që qartazi është zbatuar përmes këtij sistemi. Nuk duam që dikush me veprimet e tij të cënojë të arriturat tona të deritanishme. Tre muaj e kemi ndërtuar këtë luftë me solidaritet, dashuri, përkushtim dhe punë. Të mos e vëmë këtë në pikëpyetje me veprime të paparamenduara” – thuhet në mesazhin e studentëve organizatorë të protestës.

Ministria e Brendshme e Serbisë mbrëmë ka njoftuar për disa incidente, sic thonë, kryesisht të drejtuar ndaj pjesëmarrësve të një proteste tjetër në “Parkun e Pionierëve” në Beograd, ku po protestojnë studentët që duan të mësojnë e që mbështeten nga regjimi i Vuçiqit.

Autoritetet serbe të sigurisë kanë arrestuar 6 persona, sic thonë, për shkak të dyshimeve se kanë kryer veprën penale kundër rendit kushtetues dhe thirrje për ndryshimin me dhunë të rendit kushtetues.

Në disa video-xhirime që ishin transmetuar nga mediat pro-qeveritare serbe, sic thuhet, dëgjohen persona që planifikojnë ndërhyrje në ndërtesën e RTS-së.

Gjatë kësaj të shtune të ditës “D” të protestave në Serbi, përmes një video mesazhi, është prononcuar edhe Presidenti Vuçiq.

ALEKSANDAR VUÇIQ – PRESIDENT I SERBISË

“Njerëzit kanë ëndrra të ndryshme. Disa ëndërrojnë të rrënojnë dikend, kurse tjerët të ndërtojnë. Besoj se pjesa më e madhe e Serbisë dëshiron të ndërtojë. Jam I bindur se sot do t`u bëjmë ballë presioneve dhe sulmeve dhe besoj se do ta ruajmë paqën dhe stabilitetin”

Studentët në bllokadë, ndër të tjera, kërkojnë përgjegjësi penale dhe politike për vdekjen e 15 njerëzve nga shembja e një strehe në stacionin hekurudhor të Novi Sadit më 1 nëntor 2024.