Qysh si nxënës, u mbrujte në frymën e dashurisë ndaj kombit Tënd. Prej mësuesve
Tu, mësove se si duhet atdheu i të parëve, si duhet shqiptaria. U formove në një familje me
tradita të thella patriotike. Nga prindërit dhe nga mësuesit mësove se si duhet luftuar për liri,
si duhet thyer grilat e robërisë. Qysh në bankat shkollore, preokupim pate kauzën tonë
kombëtare. Që i ri, i vërejte padrejtësitë që i bëheshin popullit Tënd nga armiqtë sllavë. Me
veprimin Tënd dhe të mbarë familjes sate, kontribuove në formimin e frymës nacionaliste në
hapësirat tona, në këtë pjesë të Ilirisë. Ti ishe student, kur shpërthyen demonstratat e68-ës.
Ishin ditët e para të dimrit. Një popull i tërë ishte ngritur në këmbë për të mbrojtur flamurin e
Gjergj Kastriotit. Bijtë më të shtrenjtë të kombit kishin dalë ato ditë për drejtësi dhe barazi,
liri dhe demokraci. Përballë demonstruesve trima qëndronin forcat policore serbosllave dhe
sllavomaqedonase, të armatosur deri në dhëmbë. Mu në vatër të protestës ishin studentët,
mësuesit, arsimtarët, profesorët, mjekët, punëtorët, zejtarët, bujqit, blegtorët, fshatarët,
qytetarët, gra e burra, djem e vajza. Ti o hero dhe familja jote, sypatrembur dhe me grushtin
shtrënguar, qëndronit përballë armikut. Ngjarja e dimrit të madh të ’68-ës, e tronditi tërë
Jugosllavinë. Për protestën e madhe popullore shkruan të gjitha mediumet më prestigjioze të
Perëndimit. Ti Xhemil dhe shokët e brezit Tënd u mbrujtët prej shokëve të idealit, prej
legjendarëve Adem Demaçit dhe Sadudin Gjurës, prej sypatremburit Memet Gegës. Ti dhe
shokët e idealit, si Faik Mustafa, Arbën Xhaferi, Rahim Neziri, Zaim Beqiri, legjendari Rafi
Halili, i papërkulshmi Shpëtim Pollozhani dhe shumë atdhetarë të tjerë ua bëtë me dije serbo-
sllavëve dhe sllavo-maqedonasve se pa i dhënë fund diskriminimit të shqiptarëve, s’ka për të
pasur qetësi në Jugosllavinë e AVNOJ-it (KAÇKJ). Ti, shokët e idealit dhe mijëra shqiptarë
të tjerë do të ballafaqoheni me ideologjinë serbomadhe, me qëllimet antishqiptare të
“Naçertanies” së Garashaninit dhe me memorandumin dhe elaboratin “Dëbimi i
shqiptarëve” të Çubrilloviqit. Ju i dolët para pastrimit etnik të trojeve shqiptare, që ishte
synim i Pashiqit, i Karagjorgjeviqëve, i Rankoviqistëve dhe i titistëve. Ti Xhemil dhe mijëra
shokë të tjerë të idealit u treguat të gatshëm të ballafaqoheni me hegjemonizmin,
ekspansionizmin dhe dominimin serbo-çetnik. Sllavo-maqedonasit, të nxitur dhe të
mbështetur nga padronët serbë të tyre, ju arrestuan, ju burgosën, ju torturuan, ju mbyllën
nëpër zëndane, në qeli, në birucë, në kazanate. Ju vunë në duar pranga, ju ballafaquan me
policë, me hetues, me dëshmitarë të rrejshëm, me spiunë, me udbashë, me tradhtarë, me
antishqiptarë, me antikombëtarë, me gardianë, me prokurorë, me porotnikë, me gjyqtarë. Por
Ju Xhemil, ndonëse të rrethuar me çizme xhandarësh, nuk u dorëzuat. Përballë stuhive dhe
rrebesheve, si një mal i vetmuar, të patundur qëndruat. Ruajtët dinjitetin, integritetin dhe
forcën shpirtërore. Sakrifica juaj nuk shkoi kot. Orakulli i Dodonës, paralajmëronte ditë të
mira për shqiptarinë. Në Dardani do të themelohej Universiteti dhe Akademia e Shkencave.,
të zbukuruar nga flamuri i Gjergjit, që valoi edhe në Vlorën e Ismail Qemalit, që valon sot
edhe në kullën e komandantit legjendar, të pavdekshmit Adem Jashari.
Për ta rikujtuar ngjarjen historike të sipërthënë dhe veprimtarët që tanimë s’janë ndër
ne, Ti Xhemil, bashkë me shokë të tjerë, e themelove “Nismën ‘68”.
Ti ishe një prej Mohikanëve të fundit, një prej simboleve të fundit të dimrit të madh të
vitit ‘68. Ju dhe ata para jush si dhe ata pas jush i dhatë histori këtij populli fisnik dhe bujar
që s’i ka borxh askujt. Në çastin kur i mbylle bebëzat Xhemil, sytë e Sharrit si dy lot të
mëdhenj kishin ngrirë. Ti je në Panteonin e shqiptarisë.
Prehu i qetë o i pavdekshëm, në gjirin e tokës ilire.
Tetovë, më 15 mars 2025 Xhelal Zejneli