Ronaldo Nazario nuk pati asnjë dyshim kur emëroi lojtarin e Anglisë që ai besonte se mund të kishte luajtur për Brazilin.
Ronaldo përfaqësoi kombëtaren e Brazilit nga viti 1994 deri në vitin 2011, duke shënuar 62 gola në vetëm 98 ndeshje.
Sulmuesi legjendar fitoi Kupën e Botës në vitin 1994 dhe 2002, dhe në vitin e dytë ai fitoi çmimin Topi i Artë për herë të dytë në karrierën e tij.
Gjatë turneut, Brazili i Ronaldos takoi Anglinë në çerekfinale, një ndeshje që u bë e famshme për shkak të Ronaldinhos që shënoi një gol të mrekullueshëm me një goditje nga distanca, duke mposhtur portierin e Tre Luanëve, David Seaman, dhe për të nxjerrë ekipin e trajnerit Sven-Goran Eriksson jashtë turneut.
Ronaldo firmosi për Real Madrid pas fitimit të Kupës së Botës, ku ai luajti së bashku me kapitenin e Anglisë në këtë turne, David Beckham.
Gjatë një telefonate me video në vitin 2020, të dy lojtarët kujtuan kohën e kaluar në La Liga.
Beckham kujtoi se si Ronaldo i kishte thënë një herë se ai ishte i vetmi lojtar i Anglisë që ishte mjaft i mirë për të luajtur për Brazilin.
Legjenda e Manchester United shpjegoi: “Kur u transferova nga Manchester, dhe kam qenë atje gjithë jetën time, kalimi në Madrid ishte një hap i madh për mua. Një nga njerëzit e parë që pashë ishe ti. Kur hyre në dhomën e zhveshjes, më bëri të ndihem komod në klub”.
“Mbaj mend që ti u ktheve nga unë dhe the se skuadra e Brazilit besonte se, nëse do të kishte ndonjë lojtar të Anglisë që mund të luante në ekipin brazilian, do të isha unë. Por unë kurrë nuk e besova, sepse lojtarët brazilianë janë lojtarët më të mirë! E di ti këtë”, tha Beckham.
Ronaldo e quajti Beckham “një nga më të mirët e të gjitha kohërave” për përdorimin e tij të topit dhe tha: “Pa më shikuar mua, topat vinin. Duhet të të falenderoj për shumë topa që më dhe. Ishte e mahnitshme”