Të paktën 200 persona humbën jetën në sulmet ajrore izraelite mbi Rripin e Gazës, njoftuan autoritetet shëndetësore palestineze, pasi disa zona u goditën herët në mëngjes. Këto sulme shënuan fundin e përpjekjeve disa javore për të vazhduar armëpushimin, që i kishte dhënë fund luftimeve në janar.

Sipas raporteve, sulmet ajrore izraelite kanë goditur disa zona të ndryshme në Gaza, përfshirë pjesët veriore të Gazës, qytetin e Gazës, si dhe rajonet Deir al-Bala, Kan Yunes dhe Rafa në pjesën qendrore dhe jugore të enklavës.

Autoritetet shëndetësore në Gaza njoftuan se mes viktimave janë shumë fëmijë.

Forcat e Mbrojtjes të Izraelit deklaruan se kanë goditur dhjetëra objektiva dhe paralajmëruan se sulmet do të vazhdojnë “për aq kohë sa të jetë e nevojshme”, duke sugjeruar mundësinë e rikthimit të operacioneve tokësore.

Sulmet ishin shumë më masive sesa goditjet e zakonshme izraelite me drone ndaj militantëve të dyshuar. Kjo eskalim erdhi pas dështimit të përpjekjeve për të vazhduar armëpushimin të cilin e kishin arritur më 19 janar.

Spitalet e mbingarkuara dhe shumë viktima
Në spitalet e Gazës, që tashmë janë të mbingarkuara nga 15 muaj luftë, kanë arritur dhjetëra viktima, ndërsa shumë trupa janë vendosur në qese plastike të mbushura me gjak. Kryqi i Kuq Palestinez raportoi se ekipet e tij kanë transportuar 86 të vdekur dhe 134 të plagosur, ndërsa shumë të tjerë u sollën me automjete private. Spitalet “Naser” në Kan Yunes, “Al Aqsa” në Gazën Qendrore dhe “Al Ali” në qytetin e Gazës morën rreth 85 viktima, ndërsa 16 anëtarë të një familjeje humbën jetën në një sulm në Rafa.

Akuza të ndërsjella mes Izraelit dhe Hamasit
Izraeli ka akuzuar “Hamasin” për shkeljen e armëpushimit dhe paralajmëroi se kjo rrezikon fatin e 59 pengjeve që ndodhen ende në Gaza. Zyra e Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, e ka akuzuar “Hamasin” për “refuzimin e vazhdueshëm për të liruar pengjet” dhe për refuzimin e propozimeve të dërguarit të Posaçëm të Presidentit amerikan Donald Trump, Steve Witkof, për Lindjen e Mesme.

Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se Izraeli ka konsultuar administratën amerikane para sulmeve, të cilat, sipas ushtrisë izraelite, ishin të fokusuar ndaj komandantëve dhe funksionarëve të “Hamasit”, si dhe ndaj infrastrukturës së tyre ushtarake.

Gjatë kësaj periudhe, dëshmitarët në Gaza thanë se tanket izraelite bombarduan pjesë të Rafës, duke detyruar shumë familje, të cilat ishin kthyer në shtëpitë e tyre gjatë armëpushimit, të ikin sërish në veri, drejt Kan Yunes.