Autoritetet turke kanë vendosur kufizime për qasjen në rrjetet sociale, përfshirë X, YouTube, Instagram dhe TikTok, pas arrestimit të kryetarit të Bashkisë së Stambollit, Ekrem İmamoğlu dhe 100 personave të tjerë, raporton Netblocks.

Lideri opozitar İmamoğlu u arrestua gjatë bastisjes në shtëpinë e tij si pjesë e një hetimi për korrupsion të dyshuar dhe lidhje me terrorizmin, raporton AP.

Janë arrestuar gjithashtu mbi 100 persona të tjerë, përfshirë ndihmësin e kryetarit të Bashkisë, Murat Ongun.
Pavarësisht se autoritetet pretendojnë se këto veprime janë të bazuara në ligj, opozita i sheh ato si të motivuara politikisht.

Pak pas arrestimit, aksionet në bursën turke ranë me shtatë përqind, gjë që shkaktoi një ndërprerje të përkohshme të tregtisë.
Përveç kësaj, autoritetet turke bllokuan trafikun në disa rrugë të Stambollit dhe ndaluan protestat për katër ditë për të parandaluar demonstratat e mundshme.

Arrestimi erdhi pasi İmamoğlu dje humbi diplomën për shkak të dyshimeve për parregullsi në arsim, duke e penguar atë të kandidojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale.
Grupi Netblocks njoftoi se qasja në rrjetet sociale kryesore në Turqi është bllokuar për të kufizuar përhapjen e informacionit rreth arrestimit dhe mbështetjes për opozitën.