14 muaj pa sigurim e 3 muaj pa rroga/ Reagon BDI: Bilall Kasami dhe NPK po braktisin punëtorët – Kush mban përgjegjësi?

Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Komunale (NPK) Tetova kanë tre muaj pa paga dhe 14 muaj pa sigurim shëndetësor. Kjo nuk është thjesht papërgjegjësi – është një skandal që tregon dështimin e plotë të menaxhimit komunal dhe neglizhencën e kryetarit të Komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Si është e mundur që një ndërmarrje publike të zhytet në kaos financiar, ndërkohë që qytetarët paguajnë taksa dhe tarifat për shërbimet komunale? Ku janë paratë e destinuara për pagat e punëtorëve? Kush është përgjegjës për këtë katastrofë sociale?
Kryetari Bilall Kasami dhe administrata e tij nuk mund të fshihen pas justifikimeve boshe. Kjo situatë është pasojë e një keqmenaxhimi të vazhdueshëm dhe një mungese totale të llogaridhënies. Në vend që të zgjidhin krizën, ata kanë lënë punëtorët dhe familjet e tyre në mëshirë të fatit.
Kërkojmë përgjegjësi!
Kërkojmë transparencë!
Punëtorët nuk mund të trajtohen si skllevër, dhe qytetarët e Tetovës nuk mund të mbeten peng i paaftësisë dhe papërgjegjësisë institucionale. Nëse kryetari i Komunës nuk është në gjendje të sigurojë pagat dhe të drejtat bazë të punëtorëve, atëherë është koha të pranojë dështimin dhe të marrë pasojat!