Hungaria ka njoftuar një paketë të re stimujsh që synon të luftojë rënien e shkallës së lindshmërisë në vend. Sipas propozimit të ri të qeverisë nënat me dy ose më shumë fëmijë do të përjashtohen përjetësisht nga pagimi i tatimit mbi të ardhurat. Kjo masë është pjesë e një plani radikal që synon të ndihmojë në frenimin e rënies së popullsisë, që pritet të bie në 8.5 milionë deri në vitin 2050, nga 9.6 milionë që është sot.
Sipas ligjeve të reja, nënat që kanë një fëmijë do të përjashtohen nga tatimi mbi të ardhurat deri në moshën 30 vjeçare, ndërsa ato që kanë dy ose më shumë fëmijë do të përfitojnë një përjashtim të përhershëm nga pagimi i taksave mbi të ardhurat.
Rënia e popullsisë ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm për Hungarinë. Që pas krizës financiare të vitit 2008 ka pësuar një rënie drastike të lindshmërisë. Pavarësisht se emigracioni ndërkombëtar ka kompensuar disi këtë rënie, Hungaria vazhdon të përballet me një presion të madh demografik, duke ofruar stimuj të shumtë për të inkurajuar lindjen e fëmijëve.
Aktualisht, nënat me katër ose më shumë fëmijë janë plotësisht të përjashtuara nga pagimi i taksave, ndërsa shteti financion plotësisht disa klinika të fertilitetit dhe ofron subvencione për blerjen e shtëpive për prindërit. Këto stimuj kanë rritur normën e lindshmërisë nga 1.2 në 1.6 gjatë periudhës 2011-2021. Megjithatë, lindshmëria ka pësuar një rënie të lehtë, duke rënë në 1.38 vitin e kaluar.
Statistikat e fundit tregojnë një rënie të popullsisë, me 5,434 persona më pak gjatë vitit të kaluar. Po ashtu, martesat kanë rënë me një të katërtën midis vitit 2023 dhe 2024. Ndërkohë, numri i lindjeve ka rënë me 9.1% gjatë vitit të kaluar.
Kryeministri hungarez Viktor Orbán e ka përshkruar uljen e taksave për nënat si një hap të rëndësishëm në krijimin e një ekonomie që do të jetë e fokusuar tek familjet.
“Me këtë, ne po hapim një kapitull të ri në historinë e ekonomisë hungareze. Ne po krijojmë ekonominë e parë në botë me qendër familjen,” tha Orbán.