Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në bashkëpunim me UNICEF-in, profesorët e Institutit të Psikologjisë pranë Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, Oda e Psikologëve të Maqedonisë dhe Kryqi i Kuq, ofruan mbështetje të fuqishme psikologjike për të gjithë nxënësit në vend, e cila do të jetë më intensive në komunat ku një numër i madh i të rinjve, në fatkeqësinë në Koçan humbën vëllezërit, motrat, shokët dhe bashkëmoshatarët, informoi sot ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska.
“Menjëherë pas ngjarjes tragjike u përgatitën dhe u dërguan udhëzime shkollave, mësimdhënësve dhe prindërve për veprim në periudhën e ardhshme, gjegjësisht për ofrimin e ndihmës së parë psikologjike dhe mbështetjes psikosociale. Udhëzimet janë të disponueshme në të pesë gjuhët në të cilat zhvillohet mësimi. Është formuar rrjet prej 100 psikologëve të shkollave nga Shkupi, por edhe nga qytete të tjera, të cilët po i drejtojmë në Koçan, Vinicë, Shtip, Çeshinovë – Obleshevë dhe vendet në rrethinë, si mbështetje për kolegët e shkollave atje, për të punuar me nxënësit, prindërit e tyre, mësimdhënësit dhe qytetarët në përgjithësi, ndërsa duke vepruar sipas protokollit të posaçëm të përgatitur për ndërhyrje në krizë”, tha Janevska.
Deri më tani, 32 psikologë kanë përfunduar trajnimin e specializuar, në të cilën janë përfshirë Oda e Psikologëve, Byroja për Zhvillimin e Arsimit dhe UNICEF-i, dhe tashmë ofrojnë mbështetje të drejtpërdrejtë në terren. Të tjerët do të përfshihen pasi të kenë dhënë trajnimin e sotëm.
Në ueb faqen e Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës është publikuar lista e kontakteve telefonike të 40 psikologëve, anëtarë të Odës së Psikologëve të Maqedonisë, të cilët vazhdimisht janë në dispozicion për bisedë, përkatësisht për këshillim psikologjik. Lista përfshin gjithashtu linja të dedikuara të ndihmës së parë psikologjike të Kryqit të Kuq që janë funksionale 24/7.

Ndihmë mund të kërkohet edhe në qendrat e Kryqit të Kuq në çdo kohë, si dhe në Qendrën e Shëndetit Mendor në Koçan, ku ka përfaqësues të Klinikës Universitare për Psikiatri.

Janevska inkurajoi personat profesional të cilët dëshirojnë të ndihmojnë në këtë situatë për të plotësuar nevojat e nxënësve, prindërve dhe mësimdhënësve. Nëse kanë nevojë për udhëzime më të sakta se ku janë më të nevojshme dhe si të veprojnë, mund të drejtohen deri te Ministria dhe deri te Oda e Psikologëve.

Për përkrahje të studentëve në Universitetin “Goce Dellçev” në Shtip është hapur qendra këshilluese për të rinj.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës, në kuadër të kompetencave të saj, do të vazhdojë të ndërmarrë dhe koordinojë aktivitete që mund t’i ndihmojnë të rinjtë në përballjen me sfidat.
Ministria e Arsimit dhe Shkencës