Duke paralajmëruar protesta për çdo ditë, Lëvizja qytetare, “Kush e ka rradhën”, nën ombrellën e të cilës janë organizuar edhe protestat e kaluara pas fatkeqësisë në Koçan, ka zbardhur kërkesat konkrete.

“Kush e ka rradhën” kërkon llogaridhënie ligjore dhe politike nga të gjitha institucionet në të cilët janë regjistruar lëshime të cilat janë të lidhura drejtpërdrejtë me tragjedinë në Koçan.

Lëshimet dhe dështimet nuk mund të vazhdojnë dhe drejtësia duhet të dalë në dritë, thonë mes tjerash nga “Kush e ka rradhën”.

Këto janë disa nga kërkesat e tyre:

“KUSH E KA RRADHËN” – GRAFIKË

Transparenca dhe publikimi i dokumentacionit: Publikimi i të gjithë dokumenteve lidhur me punën e klubit “Puls” nga institucionet si: Inspektorati Shtetëror i Tregut, Ministria e Ekonomisë, Inspektorati Shtetëror Ndërtimor, Ministria e Brendshme, Inspektorati Shtetëror për Urbanizëm, Vetëqeverisja Lokale në Koçan e të tjera.
Përgjegjësia institucionale: Thirrje për përgjegjësi disiplinore, penale dhe politike për institucionet që konstatohet se kanë dështuar në rastin “Pulse” dhe raste të ngjashme si spitali modular i djegur, Onkologjia, Durmo Tours dhe Besa Trans.
Ndër kërkesat e Lëvizjes është edhe krijimi i rrjetit “E-inspektorati” në të cilin do të publikoheshin dhe do të ishin të qasshme për të gjithë qytetarët raportet e inspektorëve. Kërkohet edhe shtimi i numrit të inspektorëve profesionistë si dhe transparencë më e madhe gjatë shërbimeve inspektuese.

“KUSH E KA RRADHËN” – GRAFIKË

Edukimi dhe ngritja e ndërgjegjësimit: Programe edukative dhe trajnime për evakuim në institucione publike dhe shkolla, si dhe shënimi i objekteve me materiale informative të sigurisë.
Përmirësimi i sektorit të hotelierisë: Dhoma e Industrisë së Kateringut duhet të punojë për përmirësimin e kushteve të punës, jo vetëm për rregullimin dhe ndihmën financiare nga shteti.
Nga kjo lëvizje thonë se derisa të përmbushen kërkesat e tyre dhe të qytetarëve, do të vazhdojnë të qëndrojnë për çdo ditë në rrugë duke kërkuar ndryshime dhe drejtësi për ata që deri më tani nga tragjeditë kanë humbur jetën dhe nuk janë më mes nesh, por edhe për ata që jetojnë në këtë vend dhe meritojnë një jetë më të mirë dhe më dinjitoze.