Që nga mëngjesi i sotëm të paktën 12 palestinezë janë vrarë dhe shumë të tjerë janë plagosur në sulmet izraelite ndaj Rripit të Gazës, raporton Anadolu.

Sipas dëshmitarëve okularë dhe burimeve shëndetësore që folën për Anadolu, ushtria izraelite bombardoi shtëpi të civilëve në zona të ndryshme dhe vende të tubimit.

Si pasojë e bombardimit të një shtëpie të familjes Al-Najjar në zonën Jabalia në veri të Gazës, 8 palestinezë, përfshirë 6 fëmijë u vranë dhe shumë të tjerë u plagosën.

Ndërsa nga sulmi ndaj një banese në kampin e refugjatëve Al-Burayj në Gaza, humbën jetën një baba së bashku me djalin e tij.

Nga bombardimi i një vend tubimi njerëzish në Khan Younis në jug, humbën jetën 2 palestinezë, përfshirë një grua dhe u plagosën shumë tjerë.

– Izraeli rifilloi sulme të ashpra ndaj Gazës duke e shkelur armëpushimin

Pas armëpushimit që hyri në fuqi më 19 janar në Rripin e Gazës, ushtria izraelite rifilloi sulmet e saj të dhunshme mëngjesin e 18 marsit.

Numri i palestinezëve të vrarë në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës që nga 7 tetori 2023, është rritur në 50.144 dhe numri i të plagosurve në 113.704.

Izraeli, i cili shkeli armëpushimin, njoftoi se do të vepronte me “rritje të forcës ushtarake” kundër Hamasit, me arsyetimin se refuzoi ofertat e reja për armëpushim.

Nga ana tjetër Hamasi tha se “Izraeli nuk i ka mbajtur premtimet dhe ka rifilluar gjenocidin ndaj popullit palestinez në Rripin e Gazës duke mos përmbushur përgjegjësitë përballë vendeve që ndërmjetësuan armëpushimin”.

Kujtojmë se Izraeli nisi sulmet në Rripin e Gazës nën hijen e hapave të diskutueshëm politikë të ndërmarrë nga kryeministri Benjamin Netanyahu, si shkarkimi i drejtorit të agjencisë vendase të inteligjencës Shin-Bet.