Korrespondenti i së përditshmes japoneze Asahi Shimbun ishte mes gazetarëve të vrarë dje në sulmet e Izraelit në Rripin e Gazës.
Viktima është 29-vjeçari Mohammed Mansour, i cili vdiq nga një shpërthim rakete në shtëpinë e tij në Khan Younis, në jug të Gazës, ku jetonte me gruan dhe djalin e tij të porsalindur.

Ndërsa viktima tjetër, sipas asaj që deklaron Al Jazeera, është korrespondenti Hossam Shabat, 23 vjeç.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) thanë se Shabat ishte një luftëtar i grupit militant palestinez Hamas, duke mos iu referuar Mansurit. Në një deklaratë, gazeta e përditshme me bazë në Tokio, e cila ka një tirazh ditor prej mbi 3.3 milionë lexues, tha se “sulmet kundër civilëve, përfshirë gazetarët, nuk mund të tolerohen në asnjë rrethanë”, duke kujtuar se numri i përgjithshëm i gazetarëve të vrarë në Gaza që kur Izraeli filloi ofensivën e tij ushtarake në tetor 2023 është 208.