Pushteti i Aleksandar Vuçiqit ka ndaluar për herë të dytë ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës, Hajrulla Çeku, të vizitojë Preshevën.
Këtë e ka bërë të ditur kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, e cila e ka denoncuar këtë si një shembull të qartë të diskriminimit ndaj shqiptarëve në Serbi.
Ajo ka theksuar se, pavarësisht pengesave nga Beogradi, shqiptarët e Luginës do të vazhdojnë të mbajnë lidhje të forta me Kosovën dhe Shqipërinë.
“Serbia sërish ndalon Ministrin e Kosovës–diskriminimi ndaj shqiptarëve vazhdon!
Për herë të dytë, pushteti i Vuçiqit ndalon Ministrin Hajrulla Çeku të vizitojë Preshevën! Ky është një tjetër akt i politikës nacionaliste serbe, e cila fshihet pas një fasade pro-evropiane, por në realitet ushqen një regjim autoritar që shkel të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve.
Fatkeqësisht, ky regjim vazhdon të përkëdhelet nga Perëndimi për arsye gjeostrategjike, ndërsa shqiptarët e Luginës përballen me diskriminim dhe izolim. Por ne nuk ndalemi!
Presheva është e vendosur të mbajë lidhjet me të gjitha vendbanimet shqiptare dhe të forcojë bashkëpunimin me Kosovën e Shqipërinë.
Përpjekjet për të na penguar vetëm na bëjnë më të fortë!”, ka shkruar Sinani në Facebook.