Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me 21 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë Florent Poroshticën, njërin nga të akuzuarit për krijimin dhe menaxhimin e grupit famëkeq, “Albkings”.

Ndërsa ka veçuar rastin për Edin Nevzatin, i cili ka ikur në Serbi. Gjykatësi i rastit, Adnan Kamberi, ka thënë se do të marrë masat e duhura që Nevzati të sillet para drejtësisë. Seanca në fjalë ishte e mbyllur për media.

Seanca në fjalë kishte për t’u mbajtur më 30 janar, por u shtye. Kjo për faktin se të dyshuarit nuk qenë prezentë të dyshuarit. Edin Nevzatin e kishte njoftuar avokatin në momentin e fundit se nuk do të paraqitet në seancë, ndërsa është konstatuar se i njëjti ka ikur në një fshat në Serbi.

Ndërkaq, në mesin e viktimave që i janë keqpërdorur fotografi e të dhëna personale nga ky grup, ka qenë edhe Anisa Veseli, ish-banorja e Big Brother VIP Kosova 3.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 janar njoftoi se ka ngritur aktakuzë ndaj F.P., E.N. dhe E.S., lidhur me rastin e grupit famëkeq, “Albkings”.

Sipas njoftimit të organit të akuzës, aktakuza në këtë rast u ngrit pas një pune të pandërprerë hetimore.

Ndaj të pandehurve rëndojnë veprat penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve në bashkëkryerje”, “Shantazhi” dhe “Shtrëngimi”.

Thuhet se tre të akuzuarit kanë arritur marrëveshje me Prokurorinë për pranim fajësie.

“Me rastin e ngritjes së aktakuzës, Prokurori i Shtetit ka deponuar aktakuzën së bashku me marrëveshjet përkatëse për pranimin e fajësisë, të cilat janë arritur ndërmjet Prokurorit të Shtetit dhe të pandehurve”, u tha në njoftim.

Kujtojmë se ish-administratori i “Albkings”, Edin Nevzadi ishte arrestuar më 17 prill 2024, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Vjedhje të identitetit dhe kredencialeve”. Ai u lirua nga paraburgimi në tetor 2024.

Lidhur me rastin kishte raportuar edhe Klan Kosova, përmes emisionit Kiks Kosova

Ne përdorim cookies për të përmirësuar përvojën tuaj dhe për të analizuar trafikun në faqe. Duke vazhduar përdorimin e faqes, ju pranoni përdorimin e cookies sipas Politikës së Privatësisë. Pranoj Me shume