Jovan Kostadinov, heroi 19-vjeçar nga Vinica që shpëtoi më shumë se 20 të rinjë nga zjarri në diskotekën “Pulse” në Koçanë, nga kompania me përgjegjësi shoqërore “Alkaloid” do të shpërblehet me 18.000 denarë çdo muaj për katër vitet e ardhshme.

Duke qenë se Jovani është në vitin e fundit, maturant, në gjimnazin “Vanço Prke” në Vinicë, kjo bursë do të jetë një nxitje e mirë për të për të përfunduar me sukses studimet që zgjedh.

Jovani u prit edhe nga kryeministri Hristijan Mickovski në zyrën e tij në qeveri për ti shprehur mirënjohje për heroizmin e tij dhe iu kumtua lajmi për bursën që ia dhuron për 4 vitet e ardhshme kompania “Alkaloid”.

Ndryshe “Alkaloid” dje njoftoi se ka dhuruar edhe 15 milion denarë për të mbështetur familjet e prekura nga tragjedia e tmerrshme në Koçanë. Paratë u derdhën në fondin e partnerit të tyre shumëvjeçar, Kryqit të Kuq të Maqedonisë së Veriut.