Shtëpia e modës Prada ka arritur marrëveshje për të blerë konkurrentin e saj më të vogël, Versace, nga Capri Holdings, për një shumë prej 1.25 miliardë euro, duke përfshirë edhe borxhin e kompanisë. Kjo lëvizje bashkon dy nga emrat më të njohur të modës italiane në një kohë kur industria e luksit po përballet me rënie të kërkesës, ndërkohë që Versace ka operuar me humbje gjatë disa tremujorëve të fundit.
Ky bashkim përforcon pozicionin e Italisë në industrinë globale të luksit, e cila kryesohet nga konglomeratet franceze, si pronari i Louis Vuitton, LVMH.
Marrëveshja u shpall pas lajmit të 13 marsit se Donatella Versace po tërhiqet nga posti i drejtores kreative të markës që themeloi vëllai i saj i ndjerë, Gianni Versace.
Patrizio Bertelli, presidenti i Prada-s dhe bashkëshorti i dizajneres Miuccia Prada, tha:
“Qëllimi ynë është të vazhdojmë trashëgiminë e Versace, duke e festuar dhe interpretuar sërish atë estetikë të guximshme dhe të përjetshme. Njëkohësisht, do t’i ofrojmë markës një platformë të fortë, të mbështetur në investime të vazhdueshme dhe lidhje të thella afatgjata.”
Prada theksoi se përfshirja e “estetikës shumë të njohur të Versace-s” përfaqëson një shtesë shumë komplementare në portofolin e saj që përfshin edhe markat Prada dhe Miu Miu, duke shtuar se Versace ofron “potencial të madh për rritje ende të pashfrytëzuar”.
Donatella Versace, familja e së cilës ia shiti biznesin kompanisë amerikane në vitin 2018, përgëzoi marrëveshjen:
“Unë dhe Gianni gjithmonë kemi pasur admirim për Miuccia-n, Patrizion dhe familjen e tyre. Është nder për mua që marka po kalon në duart e një biznesi italian familjar dhe jam e gatshme të mbështes këtë epokë të re për Versace-n në çdo mënyrë.”
Çmimi i marrëveshjes është më i ulët se 2.15 miliardë dollarët që Capri Holdings, në atë kohë i njohur si pronar i Michael Kors dhe Jimmy Choo, kishte paguar për Versace-n në vitin 2018.
Versace u themelua në vitin 1978 nga Gianni Versace, ndërsa pas vrasjes së tij në vitin 1997, drejtimin kreativ e mori Donatella. Muajin e kaluar, Capri emëroi Dario Vitale si drejtorin e ri kreativ – ai vjen nga Miu Miu, brendi rinor dhe shumë i suksesshëm i Grupit Prada.