Prokuroria Themelore Publike e Koçanit, duke vepruar në rastin e zjarrit në klubin e kabaresë “Puls”, ka dorëzuar propozim në Gjykatën Themelore në Koçan për zëvendësimin e masës së paraparë të arrestit shtëpiak me masë të sigurimit për dy të dyshuarit në cilësinë e ish-drejtorëve të Inspektoratit Shtetëror të Tregut, transmeton Portlab.mk.

Zëvendësimi i masave është kërkuar në bazë të vlerësimit të bazave ligjore për sigurinë dhe fazës së verifikimit në lidhje me këtë institucion.

“Gjithashtu, për herë të parë që nga ngjarja, është kërkuar masa paraprake edhe për një person tjetër nga grupi i parë i të dyshuarve, i cili deri më tani ishte në kurim. Bëhet fjalë për një person nga diskoteka dhe masat janë propozuar në përputhje me gjendjen aktuale shëndetësore dhe nevojën për trajtim të mëtejshëm”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kujtojmë se ish-kryetari i Komunës së Koçanit, Ljupço Papazov, i cili dha dorëheqje nga detyra pas tragjedisë në të ashtuquajturën kabare “Pulse” në Koçan, nga burgu tashmë është në arrest shtëpiak.

Dënimi me burg me arrest shtëpiak, me propozim të Prokurorisë Themelore Publike në Koçan, përveç Papazovit, tani i është zëvendësuar edhe ish-drejtorit të Inspektoratit Shtetëror të Tregut (ISHT), Goran Trajkovski, inspektor i këtij institucioni dhe pjesëtar i sigurimit të klubit.

Dy ish-kryetarët e tjerë të Komunës së Koçanit, Ratko Dimitrievski dhe Nikolço Iliev, si dhe ish-drejtoresha e Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Aneta Simeska-Dimoska, mbeten në arrest shtëpiak.

Në të njëjtën kohë, ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i është vazhduar paraburgimi edhe për 30 ditë. Këtë e ka konfirmuar për disa media avokati i tij, Elenko Milanov, i cili ka paralajmëruar ankesë kundër këtij vendimi.

Kujtojmë se Bekteshi ndodhet në paraburgim që nga fillimi i hetimeve për zjarrin në të ashtuquajturën kabare “Pulse”.

Në zjarrin që ndodhi më 16 mars në diskotekën “Pulse” në Koçan, po atë ditë, jetën e humbën 59 persona, ndërsa më 4 prill, më 7 prill dhe 17 prill, ndërruan jetë edhe tre persona të tjerë, duke e çuar numrin total të viktimave në 62. Nga zjarri mbetën 196 të lënduar që u trajtuan brenda dhe jashtë vendit.

Sipas hetimeve të deritanishme nga institucionet, diskoteka ka punuar me një sërë shkeljesh të mëdha: nuk kishte rrjet hidranti dhe mjaftueshëm aparate PP, përdoreshin materiale piroteknike në mënyrë të paligjshme, nuk kishte as leje pune të ligjshme dhe nuk ishte lidhur asnjë kontratë me shkrim mes organizatorit dhe grupit interpretues.

Prokuroria në Koçan dhe Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka identifikuar si të dyshuar 45 persona fizikë dhe tre persona juridikë për krime të rënda kundër sigurisë publike, njëri prej tyre ka ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga zjarri. Ministria e Punëve të Brendshme ka ngritur kallëzime penale kundër tyre, shumica prej të cilëve ndodhen në paraburgim. Midis tyre është edhe zyrtari i BDI-së, Kreshnik Bekteshi.