Derisa hetimi për Koçanin të merr një formë të aktakuzës, kryeprokurori Lupço Kocevski do të vazhdojë të jetë i paprekshëm. Nënkryetari i Kuvendit, Antonio Milloshovski në intervistën për Alsat tha se në momentin aktual të hetimit, nuk duhet të ketë ndërprerje kadrovike në kuptimin që mos pengohet dhe shantazhohet puna e organit të akuzës.
“Sipas meje, Qeveria me siguri do të mbetet në një ‘status quo’, në këtë moment aktual të hetimit që të mos bëhet ndonjë ndërprerje kadrovike në vetë prokurorinë që do të mund të dëmtonte dinamikën e vetë hetimit. Por nëse e shohim të gjithë fotografinë në kontekst politik, ky është mendim personal, në momentin kur hetimi do të jetë i rrumbullaksuar, ose do të merr ndonjë formë të aktakuzës, mendoj se duhet të vazhdojë procedura për prokurorin publik”, tha Antonio Milloshovski, Nënkryetar i Kuvendit.
Kujtojmë se përpara tragjedisë së Koçanit, më 11 shkurt, Qeveria solli vendim për hapjen e procedurës për shkarkimin e kryeprokurorit Ljupço Kocevski, ndërsa arsyet për këtë ishin imazhi i dëmtuar i Prokurorisë, veprimet e kundërligjshme dhe korrupsioni, ndikimi dhe jo efikasiteti.
Dy ditë para tragjedisë në Koçan, kryeministri tha se kryeprokurori dhe prokurori për krim të organizuar do të pendohen për veprimet e tyre, ndërsa menjëherë pas tragjedisë, ndryshoi narrativin, duke theksuar se procedura ndaj kryeprokurorit Kocevski është pauzuar aty ku është deri në përfundimin e hetimit për Koçanit.
Në ndërkohë, partitë opozitare LSDM dhe BDI, janë ankuar se Prokuroria po kryen hetim selektiv dhe njëkohësisht akuzojnë se Mickoski ka ndërruar mendjen për Kocevskin me qëllim që të mbrohet pushteti nga përfshirja në hetim. /Alsat.mk