Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, ka deklaruar se sipas informacioneve fillestare, shkak i aksidentit të trafikut të djeshëm, ku mbetën të vdekur tre persona dhe tetë të lënduar, ka qenë shpejtësia e papërshtatshme në rrugë.

“Në aksidentin e trafikut të mbrëmshëm, fatkeqësisht kanë humbur jetën tre persona. Sipas informatave fillestare që kam marrë, ka qenë rast i shpejtësisë së tepërt nga ana e njërit prej pjesëmarrësve, i cili fatkeqësisht ka ndërruar jetë”, tha Toshkovski.

Numri i viktimave në trafik në tremujorin e parë të këtij viti, sipas ministrit, është afërsisht i ngjashëm me vitin e kaluar, por siç vlerëson ai, shifrat janë katastrofike në krahasim me standardet evropiane.