Rripi i Gazës nuk gjen paqe as për festën e Pashkëve. Raportohet për bombardime të ndryshme nga ushtria e Izraelit. Numri i të vdekurve palestinezë në Rripin e Gazës është rritur në mbi 51 mijë që nga shpërthimi i konfliktit më 7 tetor 2023.
Këtë e konfirmuan autoritetet shëndetësore në enklavën e rrënuar. Në një deklaratë, autoritetet shëndetësore shtuan se rreth 117 mijë të tjerë janë plagosur në sulmet e vazhdueshme nga Izraeli. Gjatë orëve të fundit, 92 palestinezë janë vrarë dhe 219 të tjerë janë plagosur në operacionet ushtarake të Izraelit në enklavë, thanë autoritetet.
Sakaq, grupi militant palestinez Hamas publikoi një video të re të pengut izraelit, Elkana Bohbot, duke dhënë shenjën e tretë se ai është gjallë brenda një muaji. Familja e 35-vjeçarit Bohbot, i cili u rrëmbye nga festivali muzikor Nova, ka lejuar publikimin e videos.
Pengu shfaqet i dobët, me kokën e rruar, duke përdorur një telefon, ndërsa dukshëm i pikëlluar po fliste me familjen e tij. Dhe pikërisht për lirimin e pengjeve, qeveria izraelite e drejtuar po has në presion të madh. Dhjetëra protestues u përleshën me policinë në komunitetin qendror të Izraelit i Mazor, ku pritej të zhvillonte një vizitë kryeministri Benjamin Netanyahu.
Demonstruesit shprehën zemërimin e tyre ndaj zotimit të tij për të vazhduar luftën me Hamasin, duke kërkuar përfundimin e luftës dhe lirimin e 59 pengjeve të mbetura të mbajtura në Gaza. Tensionet u ndezën ndërsa protestuesit u shtynë kundër barrikadave të policisë, me disa që tentuan të shkelin një portë të improvizuar.
Demonstruesit mbanin pankarta dhe brohoritnin thirrje të ndryshme, duke akuzuar Netanyahun për zgjatjen e një lufte që ata besojnë se nuk ka arritur asgjë përveç shkatërrimit.
Netanyahu mbrojti vendimin e tij për të përshkallëzuar operacionet ushtarake në Gaza, duke thënë se Hamasi kishte refuzuar një armëpushim të përkohshëm të propozuar në fillim të kësaj jave.
Në vend të kësaj, grupi militant kërkoi një marrëveshje më të gjerë për t’i dhënë fund luftës në këmbim të lirimit të pengjeve. “Lufta do të përfundojë me shkatërrimin e Hamasit”, ishte zotimi i kryeministrit izraelit.