Carlo Ancelotti po përballet me disa javë të pasigurta në drejtimin e Real Madridit pas eliminimit nga Liga e Kampionëve.

Edhe pse kontrata e tij aktuale me klubin zgjat deri në fund të sezonit 2025/26, spekulimet për të ardhmen e tij janë shtuar ndjeshëm.

Presidenti i klubit, Florentino Pérez, pritet të zhvillojë bisedime të rëndësishme me trajnerin italian për të vendosur mbi hapat e ardhshëm, por deri tani nuk është marrë asnjë vendim i menjëhershëm.

Ancelotti vetë është shprehur se dëshiron të përqendrohet në fundin e sezonit, ku Real Madrid është ende në garë për titullin në La Liga dhe finalen e Kupës së Mbretit kundër Barcelonës më 26 prill.

Nëse ai largohet, Xabi Alonso shihet si favoriti për ta zëvendësuar. Edhe Alonso ka kontratë deri në 2026 me Bayer Leverkusen, por është i gatshëm të presë një thirrje nga Madridi.

Raportet se Ancelotti mund të shkarkohet menjëherë pas finales së Kupës së Mbretit nuk janë të besueshme, megjithatë Pérez po shqyrton mundësinë e emërimit të një trajneri të përkohshëm për Kupën e Botës së Klubeve në qershor.

Sipas një raporti ekskluziv të David Ornstein nga The Athletic, Ancelotti do të largohet nga posti i trajnerit, por vetëm pas përfundimit të sezonit 2024/25. Ndërkohë, raportet nga Marca tregojnë se situata është e qetë nga të dyja palët dhe se nuk është marrë ende një vendim përfundimtar.

Nëse largohet nga Real Madrid, destinacioni kryesor për Ancelottin pritet të jetë kombëtarja e Brazilit, e cila është shfaqur e interesuar për të prej muajsh. Nga ana tjetër, Xabi Alonso është i gatshëm të marrë drejtimin kurdo që klubi ta kërkojë.

Lajmi ka shkaktuar reagime të shumta në botën e futbollit evropian. Legjenda italiane dhe ish-trajneri i tij te Milan, Arrigo Sacchi, ka paralajmëruar Real Madridin të mos marrë një vendim të nxituar:

“Ajo që më trishton është që të gjithë kritikojnë Ancelottin për eliminimin nga Champions dhe e fajësojnë vetëm atë,” tha Sacchi për Gazzetta dello Sport.

“A e dinë kë po kritikojnë? A e kuptojnë kush është Carlo Ancelotti dhe çfarë ka fituar? Për mua ai është një mjeshtër i vërtetë i futbollit, jo vetëm për trofetë, por edhe për cilësitë e tij njerëzore. Real Madrid duhet të mendojë dy apo tri herë para se të ndahet me dikë si Carletto.”

Për momentin, fokusi mbetet te fundi i sezonit dhe përballjet kyçe me Barcelonën, që mund të përcaktojnë jo vetëm fatin e Real Madridit, por edhe të ardhmen e Ancelottit.