Legjenda angleze e këshillon Realin që të nënshkruajë me superyllin e Arsenalit

Po bëhet gjithnjë e më e qartë brenda Real Madrid-it se ndryshime të mëdha pritet të ndodhin në vitet e ardhshme. Ky ka qenë një sezon tejet zhgënjyes deri tani për kampionët në fuqi të La Ligës dhe të Evropës, dhe drejtuesit e klubit mund t’i drejtohen merkatos së transferimeve për të përmbysur situatën.

Kjo verë pritet të jetë veçanërisht e ngarkuar, pasi emra si Trent Alexander-Arnold, Dean Huijsen dhe Martin Zubimendi janë lidhur me një kalim te “Los Blancos”. Këto blerje do të zgjidhnin disa nga pozicionet problematike në skuadrën e Carlo Ancelottit. Një tjetër zonë që ka sjellë vështirësi është krahu i djathtë i sulmit.

Rodrygo Goes ka pasur një sezon të luhatshëm, gjë që shpjegohet me faktin se ai preferon të luajë në të majtë — zonë ku ka më pak hapësirë për shkak të Vinicius Junior dhe ardhjes së Kylian Mbappé. Për këtë arsye, në një moment, Real Madrid mund të kërkojë një sulmues të specializuar në krahun e djathtë.

Këtu hyn në skenë Bukayo Saka. Ylli i Arsenalit shënoi javën e kaluar në “Santiago Bernabéu”, dhe sipas ish-futbollistit anglez Oëen Hargreaves, ai mund të rikthehet në këtë stadium, këtë herë si lojtar i Real Madridit. Sipas Diario AS, Hargreaves deklaroi:

“Pas paraqitjes së tij në Bernabéu – edhe pse Arsenal nuk do të dëgjojë për këtë – Real Madrid me siguri e ka vëzhguar dhe ka menduar: ‘Ai mund të luajë me ne’. Ai ka ende shumë për të bërë me Arsenalin për 3-4 vitet e ardhshme: të fitojë Premier League, trofe të tjerë dhe më pas të shkojë në Madrid.”

“Shikoni Trent-in. Ai fitoi kampionatin, fitoi Champions League, dhe tani në moshën 27-vjeçare – e njëjta moshë kur Cristiano Ronaldo kaloi nga Manchester United te Real Madrid – mund të ndodhë e njëjta gjë. Real Madrid mund të paguajë 140 milionë euro.”

Saka do të ishte pa dyshim një përforcim spektakolar për Real Madridin, dhe ndonëse është tifoz i Arsenalit, shembulli i Alexander-Arnold i jep shpresë një marrëveshjeje të mundshme në të ardhmen.