Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq, ka thënë se që nga nisja e drejtimit të kësaj komune nga ana e tij, ndryshimet janë të shumta.
Atiq, në Facebook tha se ata janë përballur me sulme kriminale “me dirigjim politik nga Beogradi” përmes Listës Serbe.
“Po bëhen 2 vite nga marrja e qeverisjes komunale në komunën e Mitrovicës së Veriut nga ana jonë. Për këto 2 vite u përballëm me shumë sulme kriminale me dirigjim politik nga Beogradi, përmes subjektit të vet satelit këtu, Listën serbe, që udhëhiqte me komunën”, tha Atiq, raporton Klankosova.tv.
Megjithatë, kryetari Atiq thotë se “pas 2 vitesh rezistencë ndaj sulmeve kriminale e terroriste, bandat janë shpartalluar dhe qyteti frymon shumë më lirshëm”. Sipas tij, qytetarët janë të lirë, ndërkohë që edhe komuna është e gjithë qytetarëve pa dallim.
Për më tepër, ai tha se sugjerimet e para 2 vitesh për të liruar komunën erdhën “fatkeqësisht edhe nga opozita në Prishtinë”.
“Kishte shumë sugjerime dashakeqe ato ditë që të dilnim nga komuna, fatkeqësisht edhe nga opozita në Prishtinë, por imagjinoni si do të ishte sot Mitrovica e Veriut, dhe veriu në përgjithësi po të dëgjoheshin këta zëra”, potencoi kryetari i Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq. /Klankosova.tv