Turqia ka ndaluar lindjet me prerje cezariane të planifikuara që nuk janë mjekësisht të justifikuara në spitalet private, sipas rregullave të reja të shpallura nga Ministria e Shëndetësisë javën e kaluar, shkruan “Turkish Minute”.
Ky vendim ka shkaktuar kritika të ashpra nga politikanët opozitarë dhe organizatat për të drejtat e njeriut, dhe ka pasuar një debat të ashpër kombëtar për praktikat e lindjes. Presidenti turk, Rexhep Tajip Erdogan, ka promovuar për një kohë të gjatë atë që ai e quan “lindje natyrale” dhe ka kritikuar shkallët e larta të lindjeve me cezariane në vend.
“Një lindje me cezariane e planifikuar nuk mund të bëhet në qendrat mjekësore,” thuhet në njoftimin e shpallur në Gazetën Zyrtare më 19 prill.
Turqia ka shkallën më të lartë të lindjeve me cezariane ndër 38 shtetet anëtare të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), sipas të dhënave më të fundit të vitit 2021. Sipas “World Population Review”, në vitin 2021 në Turqi janë kryer 584 lindje me cezariane për çdo 1,000 fëmijë të lindur.
Kjo temë mori më shumë vëmendje fundjavën e kaluar, kur lojtarët e ekipit Sivaspor dolën në fushë përpara ndeshjes së Superligës kundër Fenerbahçes, duke mbajtur një banderolë të Ministrisë së Shëndetësisë që promovonte lindjen natyrale. Në banderolë shkruhej: “Lindja natyrale është natyrale”.
Kampanja shkaktoi pakënaqësi mes deputetëve opozitarë, punonjësve të shëndetësisë dhe mbrojtësve të të drejtave të grave.
“Si të mos ketë probleme të tjera në vend, futbollistët i thonë grave se si të lindin. Mos u përzieni në problemet e grave me padijen tuaj. Mbani duar larg trupave të grave,” shkroi në rrjetin social X, Gokce Gokcen, zv. kryetare e Partisë Popullore Republikaniste, partia kryesore opozitare.
“Viti i Familjes”
Në janar, Erdogan shpalli vitin 2025 si “Vitin e Familjes”, duke përmendur rënien e shkallës së natalitetit në Turqi, e cila arriti një nivel rekordisht të ulët prej 1.51 në vitin 2023. Ai shpesh ka ftuar gratë të kenë të paktën tre fëmijë.
Në të shtunën, Erdogan mbrojti pjesëmarrjen e klubit futbollistik në kampanjën e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Një nga klubet tanë futbollistikë doli në fushë me një banderolë në mbështetje të kampanjës së Ministrisë së Shëndetësisë. Banderola nuk përmbante ofendime, kritika ose mosrespektim ndaj askujt, asgjë që do të ofendonte gratë. Pse ju shqetëson kjo që ministria jonë inkurajon lindjen natyrale? Nuk kemi kohë për këto budallallëqe në një kohë kur jemi të shqetësuar për natalitetin dhe rritjen e popullsisë. Ulja e popullsisë në Turqi është një kërcënim shumë më i madh se lufta,” tha Erdogan.