Prej disa vitesh, suksesi i Liverpool-it në fitimin e trofeve është shoqëruar me një këngë të veçantë dhe çuditërisht, nuk është “You’ll Never Walk Alone”. Bëhet fjalë për hitin e vitit 2018 “One Kiss” nga Dua Lipa, e cila është kthyer në një himn jozyrtar të triumfeve të “The Reds”.
Që nga fitorja e Ligës së Kampionëve në Madrid më 2019, “One Kiss” është luajtur në çdo festim të trofeve nga Liverpool-i, duke sjellë buzëqeshje në fytyrat e tifozëve të Anfield-it që e lidhin këtë këngë me momente gëzimi dhe krenarie. Më së fundi, ajo u dëgjua pas finales së Carabao Cup, në shkurt të këtij viti, të fituar nga Liverpool-i.
Lexo edhe:
Njerëzit mund të vdesin nga ‘thyerja e zemrës’
Një histori që fillon në Kiev
Historia mes Liverpool-it dhe “One Kiss” filloi në finalen e Ligës së Kampionëve në Kiev, më 2018, ku Dua Lipa hapi spektaklin me një performancë të zjarrtë. Edhe pse atë natë skuadra e Jurgen Klopp nuk arriti të fitonte ndaj Real Madridit, kënga mbeti e lidhur me klubin dhe tifozët.
E krijuar në bashkëpunim me Calvin Harris, i cili gjithashtu mori pjesë në paradën e hapur të Liverpool-it pas fitimit të FA Cup dhe Carabao Cup më 2022, kënga u ngjit menjëherë në majat e klasifikimeve në Mbretërinë e Bashkuar dhe nga aty nisi një rrugëtim i veçantë me klubin nga Merseyside.
Dua Lipa, një simpatizuese e Liverpool-it
Në një intervistë për faqen zyrtare të klubit më 2020, Dua Lipa shprehu dëshirën për të parë Liverpool-in në Anfield. “Do të vij patjetër në një ndeshje. Babai im, i cili është tifoz i Arsenalit, por ka një simpati për Liverpool-in, dhe menaxheri im Ben, që është tifoz i flaktë i Liverpool-it, po punojnë për të gjetur një ditë të përshtatshme,” u shpreh ajo.
Një koncert në Anfield?
Së fundmi janë përhapur zëra se Dua Lipa mund të performojë këtë verë në Anfield, në një event të ngjashëm me atë të Taylor Swift në qershor. Klubi përfitoi ndjeshëm financiarisht nga koncerti i Swift dhe është i interesuar të përsërisë suksesin me një tjetër superyll të muzikës pop.
Edhe pse performanca e Dua Lipës do të ishte një ngjarje e madhe për tifozët, ajo që të gjithë shpresojnë të dëgjojnë këtë sezon është “One Kiss” që shpërthen nga altoparlantët e stadiumit, ndërsa Liverpool-i ngre një tjetër trofe madhështor.