Çmimi i kriptomonedhës $Trump ka pësuar një rritje të madhe pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, premtoi të organizojë dy ngjarje speciale për investitorët më të mëdhenj të saj.
Sipas faqes zyrtare të kësaj kriptomonedhe meme, 220 mbajtësit më të mëdhenj të $Trump do të ftohen në një darkë gala private me presidentin më 22 maj, e cila përshkruhet si “Ftesa më eksluzive në botë”, transmeton klankosova.tv.
Sipas platformës së tregtimit të kriptomonedhave Coinbase, çmimi i $Trump u rrit me mbi 70% pas këtij njoftimi. Megjithatë, ai mbetet ende shumë larg rekordit të tij më të lartë prej mbi 74 dollarësh (rreth 42.40 £), që u arrit menjëherë pas lansimit në janar.
Kjo monedhë digjitale është një nga disa nismat të lidhura me kriptovalutat që janë lansuar nga biznese të afërta me Trumpin, i cili e ka quajtur veten “presidenti i kriptos”.