Partia Demokratike e Kosovës në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit ka shprehur mirënjohje për të gjithë gazetarët dhe punonjësit e medieve.
Përmes një komunikate për media, PDK shkroi se është për keqardhje rënia e Kosovës në vendin e 99-të sa i përket Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit.
Ata shkruajnë se, kjo rënie nuk është faj i gazetarëve, por pasojë e drejtpërdrejtë e një ambienti represiv, të frikës dhe shantazhit që kjo qeveri ka krijuar për mediat dhe profesionistët e informacionit.
“Në Ditën Botërore të Lirisë së Shtypit shprehim mirënjohje për të gjithë gazetarët dhe punonjësit e mediave në Kosovë, të cilët vazhdojnë të raportojnë me përkushtim dhe profesionalizëm, përkundër sulmeve dhe linçimeve nga pushteti. Është për keqardhje rënia e Kosovës në vendin e 99-të sa i përket Indeksit Botëror të Lirisë së Shtypit.
Tutje, nga PDK shkruajnë se në vend të mbështetjes së gazetarisë së lirë, pushteti aktual ka zgjedhur të sulmojë gazetarët.
“Ky regres është aktakuzë politike dhe morale për Qeverinë e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës qëndron fuqishëm përkrah gazetarëve dhe mediave – sepse fjala e lirë është themel i çdo shoqërie demokratike”, shkruhet ndër tjerash në reagimin e tyre. / Klankosova.tv