Organizimin e mbrëmjes së maturës këtë vit nuk kanë mundësi ta bëjnë të gjitha restorantet për shkak të mos plotësimit të kushteve kundër zjarrit ose ndonjë fatkeqësie tjetër. Nga Komuna e Tetovës tashmë kanë paralajmëruat drejtuesit e shkollave që paraprakisht të kërkojnë garanci dhe përgjegjësi nga pronarët e lokaleve për sigurinë e maturantëve.

“Fillimisht shkollat tona të kërkojnë një lloj garancie apo të kenë një informacion se lokalet ku do të mbahet mbrëmja e maturës a janë të pajisura me të gjitha pajisjet e nevojshme për mbrojtje kundër zjarrit apo pajisje të tjera të nevojshme. Nëse restorantet nuk janë të pajisura me pajisjet e nevojshme normalisht që ne nuk do të tolerojmë apo nuk do të marrim përgjegjësinë që shkollat tona të bëjnë organizim në një restorant të tillë”, tha Nazmi Dautit, Komuna e Tetovës.

Ndërkohë, disa nga maturantët që anketuam thanë se po finalizojnë përgatitjet për këtë mbrëmje. Sipas tyre shpenzimet nuk duhet të jenë të tepruara por në bazë të buxhetit familjar.

“Për ne vajzat dihet që ka më shumë detaje, më shumë pëlqime specifike se si duhet të dukemi se si mendojmë që është më mirë sepse është një natë e shumë pritur për shumicën e maturantëve. Shumat nuk janë marramendëse, lëvizin prej personit në person por kur flas për veten time jam përshtat me buxhetin familjar dhe që të gjej fiks atë lookun që e kam paramenduar në veten time”, tha një maturante.

“Do të jetë një mbrëmje e mirë, shpresoj që ta kalojmë mirë, ti japim një përmbyllje të mirë viteve shkollore. Kur bëhet fjalë për veshjen? Do ta zgjedhim ditët në vijim. Është nevoja të shpenzoni apo mendoni se duhet të dukeni sa më thjesht? Unë besoj se secili do të vendos në bazë të mundësive financiare. Ti ke veçuar ndonjë shumë sa do të shpenzosh? Do e shoh, akoma jo”, shtoi një maturant.

Pas tragjedisë në Koçan, thuajse në të gjitha objektet publike dhe private u kryen kontrolle për të parë nëse plotësojnë kushtet për mbrojtje kundër zjarrit. Kontrollet më të theksuara u bën ndaj objekteve gastronomike dhe hotelierike ku shumë prej tyre rezultuan se nuk plotësojnë disa nga kushtet për mbrojtje nga fatkeqësitë. Madje, në shumë prej tyre që nuk plotësonin kushtet vitet me radhë ishin organizuar edhe mbrëmje të semimaturës dhe maturës.