Lideri konservator gjerman Friedrich Merz është i gatshëm të kandidojë për kancelar në raundin e dytë të votimit më vonë gjatë ditës, pasi nuk arriti të sigurojë shumicën absolute në parlament në raundin e parë, mëson agjencia DPA nga burime partiake.
Merz pësoi disfatë më herët sot, duke u bërë kandidati i parë për kancelar që nuk zgjidhet nga deputetët në raundin e parë të votimit që nga Lufta e Dytë Botërore.
69-vjeçari mori 310 vota në Bundestagun me 630 vende – dhoma e poshtme e parlamentit gjerman – më pak se 316 sa duhen për të siguruar zgjedhjen e shumëpritur si pasardhës i Olaf Scholz.
Rezultati shkaktoi tronditje në vend, ndërsa koalicioni i ri po përpiqet të kuptojë se si të vazhdojë, shkruan DPA.
Sipas Ligjit Themelor, që është në fakt Kushtetuta e Gjermanisë, deputetët tani kanë 14 ditë për të zgjedhur kancelarin me shumicë absolute, pa kufizime në numrin e raundeve të votimit.
Pas konsultimeve me ekspertë ligjorë, koalicioni i ri u pajtua që raundi i dytë i votimit të mbahet në orën 15:15 (13:15 GMT), sipas burimeve.
Edhe pse teknikisht lejohet që të paraqiten edhe kandidatë të tjerë, koalicioni shpejt e siguroi opinionin se Merz do të kandidojë sërish në votimin e dytë, edhe pse mbetet e paqartë pse ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e nevojshme në votimin e fshehtë, përfundon DPA.