Kryetari i Këshillit Evropian, Antonio Koshta prej sot e deri më 16 maj do të qëndrojë për vizitë në vendet e Ballkanit Perëndimor, ndërkaq të enjten pritat ta vizitojë Shkupin, ndërsa të premten do të marrë pjesë në samitin e Bashkësisë Politike Evropiane në Tiranë.

Qëllimi i vizitës së Koshtës është që ta konfirmojë përkushtimin e BE-së drejt rajonit dhe perspektivës së vendeve të Ballkanit Perëndimor për anëtarësim në Union.

“Fuqizimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor është prioritet i lartë politik për BE-në dhe për mua personalisht”, porositi Koshta në prag të turit të tij në Ballkanin Perëndimor.

Ai theksoi se po shkon për vizitë në rajon që të bisedojë me liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, të cilët “përballen me sfida të vazhdueshme” dhe që të tregojë se BE-ja është e gatshme tu ndihmojë.

“Ekziston momentum i qartë për zgjerim, por momentumi kërkon përkushtim”, theksoi Koshta.

Siç bëri të ditur Këshilli Evropian, në takimet me udhëheqësit politik të partnerëve nga Ballkani Perëndimor, Koshta do ta theksojë “rëndësinë e ndërtimit të mëtutjeshëm të momentumit të rinovuar në procesin e zgjerimit dhe të marrëdhënieve mes BE-së dhe rajonit”.

Pjesa e punës nga vizita e Koshtës fillon nesër në Beograd, ku ai do të takohet me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, me kryeministrin Gjuro Macut dhe me anëtarë të Kuvendit Popullor të Serbisë.

Nesër pasdite, Koshta nga Beogradi do të udhëtojë për në Sarajevë ku do të flasë para pjesëtarëve të Forcave të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë (EUFOR Altea), pas çka do të takohet me anëtarët e Presidencës së BeH, Zhelka Cvijanoviq, Denis Bekiroviq dhe Zhelko Komshiq.

Të mërkurën, Koshta do të udhëtojë në Podgoricë në takime me presidentin malazez, Jakov Millatoviq, me kryeministrin Mijollko Spajiq dhe me anëtarë të Qeverisë së Malit të Zi, ndërsa pasdite do të udhëtojë për Prishtinë në takim me presidenten kosovare, Vjosa Osmani – Sadriu.

Kryetari i Këshillit Evropian të enjten do të qëndrojë në Shkup, ku do të takohet me presidenten Gordana Siljanovska – Davkova dhe me kryeministrin Hristian Mickoski.

Nga Shkupi, Koshta pasdite do të shkojë në Tiranë në takime me presidentin shqiptar Bajram Begaj dhe kryeministrin Edi Rama, ndërsa do të bisedojë edhe me studentë të Kolegjit të Evropës në Tiranë.

Të premten në Tiranë, Koshta do të jetë bashkë nikoqir i samitit të gjashtë të Bashkësisë Politike Evropiane (BPE), temë e të cilit është “Evropa e re në botën e re: Unitet – Bashkëpunim – Veprim i përbashkët”.

Samiti do të përqendrohet në siguri, ndërsa liderët pjesëmarrës në tubim do t’i ndajnë vizionet e tyre për të ardhmen e Evropës. Në kuadër të Samitit do të mbahen edhe tre tryeza të rrumbullakëta tematike.

Qëllimi i tubimit është afrimi i vendeve nga kontinenti evropian dhe sigurimi i platformës për koordinim më të thellë ekonomik në mesin e tyre.