Kreu i ASH-së, Arben Taravari mbrëmë nga Vrapçishti tha se në skenën politike po ndodh një “Déjà vu”, pasi po përsëritet viti 2017, kur Aleanca për Shqiptarët doli nga qeveria, njësoj si tani, përcjell TV21. Taravarit tha se atëherë edhe pse doli nga ekzekutivi, ASH-ja u rrit si parti.

“Ka një fenomen në psikologji quhet “Déjà vu”. Fenomen që përsëritet. Më 2017 unë isha ministër i Shëndetësisë, Iseni ishte drejtor. Atëherë Bejta ishte shef shtabi. Ne në Gostivar kishim shef shtabi tjetër, dhe pa dashur. As Iseni nuk donte të kandidonte për kryetar të komunës, as unë nuk doja të kandidoja për kryetar komune në Gostivar, por vendosëm për hir të partisë që edhe unë edhe Iseni të garojmë, edhe i fituam zgjedhjet, edhe atëherë ne dolëm prej qeverisë, njësojë si tash. Kur të gjithë mendonin që ASH-ja del prej qeverisë dhe do të fundoset si qeveri, ndodhi e kundërta, ndodhi rritja e partisë si asnjëherë më parë. Dmth atëherë i morëm Gostivarin, Vraçishtin dhe Bogovinën dhe partia në zgjedhjet e 2020 bëri rezultat 82,000 vota që ishte një rezultat i jashtëzakonshëm, 12 deputetë atëherë ishim bashkë me Alternativa”, tha Taravari.