FILLON HARTIMI I STUDIMIT PËR VLERËSIMIN E VLERAVE NATYRORE TË MASIVIT TË JABLLANICËS

Shkup, 12 maj 2025 – Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor fillon me hartimin e Studimit për vlerësimin e vlerave natyrore të masivit të Jabllanicës, si hap i parë dhe thelbësor në procesin e shpalljes së këtij territori si zonë e mbrojtur, në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e natyrës.

Nisma për shpalljen e Jabllanicës zonë e mbrojtur është parashtruar nga komunat Strugë dhe Vevçan, bashkësitë lokale dhe sektori civil, ndërsa Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në seancën e saj të 116-të, të mbajtur më 22 janar 2019, e ka obliguar Ministrinë që në bashkëpunim me të dyja komunat të sigurojë mjete financiare për hartimin e këtij Studimi. Në kuadër të Programës për natyrën për vitin 2025 është siguruar buxhet dhe është nënshkruar kontratë për realizimin e hartimit të Studimit.

Ky proces do të përfshijë përgatitjen e versionit përfundimtar të Studimit në përputhje me rregullativën ligjore, krijimin e bazës së të dhënave për biodiversitetin, gjeodiversitetin, habitatet, hidrologjinë dhe elementë të tjerë natyrorë, hulumtime në terren dhe përpunim të të dhënave përmes GIS-it për të dhëna me rëndësi kombëtare dhe të BE-së, organizimin e dy takimeve publike konsultative me palët e interesuara për përfshirje në përfundimin e dokumentit.

Mali i Jabllanicës përfaqëson një pasuri natyrore me vlera të jashtëzakonshme biologjike dhe gjeologjike. Ai tashmë është pjesë e Rrjetit Kombëtar Emerald të zonave me rëndësi të veçantë për ruajtjen e natyrës dhe është identifikuar si zonë potenciale për përfshirje në rrjetin e ardhshëm Natura 2000.

Hartimi i këtij Studimi përbën bazë profesionale thelbësore për procesin e mëtejshëm të shpalljes së Jabllanicës si zonë e mbrojtur, që do të mundësojë mbrojtje afatgjatë dhe menaxhim të qëndrueshëm të njërit prej rajoneve më të vlefshëm natyrorë në vend.

Në vitin 2023, Ministria e e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor financoi dhe përgatiti një Studim socio-еkonomik për shpalljen e Malit Jabllanicë si zonë e mbrojtur, pra park kombëtar, siç është pjesa e Jabllanicës në Republikën e Shqipërisë, e shpallur në vitin 2008.