Murtezani në takim me raportuesin për Maqedoninë e Veriut, Vajc, në Bruksel: Bisedime strategjike për progresin në procesin aderues

Ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani, sot në Bruksel u takua me euro-deputetin dhe raportuesin për Maqedoninë e Veriut në Parlamentin Evropian, Tomas Vajc, që pason pas dialogut konstruktiv dhe të hapur të vendosur gjatë takimit të tyre të fundit në Shkup, i cili nga ana tjetër vendosi themelet për bashkëpunim të mëtejshëm parlamentar dhe koordinim politik në mbështetje të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.
Bisedimet theksuan aspekte kyçe të procesit të aderimit, duke përfshirë zbatimin e Agjendës reformuese, ndryshimet kushtetuese, rrjedhën e përgatitjeve për hapjen e klastereve të kornizës negociuese, si dhe rëndësinë e konsensusit ndërinstitucional dhe ndërpartiak për menaxhim të suksesshëm me prioritetet reformuese. Ministri Murtezani shprehu mirënjohje për mbështetjen konstruktive nga Parlamenti Evropian dhe theksoi rëndësinë e rolit konstruktiv të euro-deputetëve, në veçanti të raportuesve, në ruajtjen e besueshmërisë së politikës së zgjerimit, si instrument kyç për evropianizimin e Ballkanit Perëndimor.
Në kontekstin e sfidave aktuale politike dhe rajonale, Murtezani theksoi gatishmërinë e Qeverisë për intensifikimin me procesin e reformave, si dhe për mbajtjen e dialogut të hapur dhe gjithëpërfshirës në vend, me qëllim të ndërtimit të mbështetjes më të gjerë të realizimit të qëllimit strategjik – anëtarësimin të plotë në Bashkimin Evropian. U potencua se procesi i ndryshimeve kushtetuese, edhe pse kompleks, mbetet hap i domosdoshëm në rrugën evropiane, i cili kërkon qasje të përgjegjshme dhe unifikim rreth vizionit të përbashkët për të ardhmen evropiane.
Euro-deputeti Vajc riafirmoi përkushtimin e tij personal dhe institucional për mbështetjen e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj evropiane dhe përshëndeti rolin konstruktiv të Maqedonisë së Veriut në bashkëpunimin rajonal dhe përfshirjen e saj aktive në nismat evropiane, duke theksuar rëndësinë e saj si partner i qëndrueshëm i Bashkimit Evropian. Bashkëbiseduesit riafirmuan gatishmërinë e tyre të ndërsjellë për vazhdimin e komunikimit intensiv edhe për aktivitetet e koordinuara që do të kontribuojnë për progresin e mëtejshëm në procesin e aderimit, në frymën e mirëkuptimit të ndërsjellë, besimit dhe solidaritetit evropian.