Vasilço Damçevski, drejtori aktual i Drejtorisë për Konsull në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Tregtisë do të jetë konsull në Selanik të Greqisë. Vendimi është marrë nga ministri Timço Mucunski, ndërsa emërimi – edhe pse nuk ka hyrë akoma në fuqi, ka shkaktuar reagime në mesin e punonjësve të ministrisë, shkruan gazeta KOHA.
Burime nga Ministria e Punëve të Jashtme tregojnë për gazetën KOHA madje se Damçevski, ish-kryetar i Komunës së Krueshevës nga radhët e VMRO-së, është njëri nga personat që më 27 prill 2017, bashkë me turmën kishte hyrë dhunshëm në Parlament ndërsa ishte përmendur se ka qenë pjesë e grupit që e rrahën keq kryetarin e Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela.
Damçevski, i shoqëruar atëkohë me persona të maskuar, ishte kapur nga kamerat e mediave ndërsa vraponte zyrë më zyrë në Parlament, ndërkohe që është përmendur se ka qenë pjesë e grupit që goditën deputetin dhe kryetarin e ASH-së, Sela.
Burime për KOHA thonë se Damçevski ka qenë plan të emërohet Konsull kryesor në Athinë, por se “biografia” e tij prej dhunuesi në Parlament ka qenë pengesë për emërim të tij kaq të lartë në një shtet të huaj. Si kompromis, Mucunski ka vendos që i njëjti të shkojë Konsull në Selanik. (koha.mk)