Universiteti i Tetovës ka nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Uşak në
Republikën e Turqisë, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt zgjerimit të partneriteteve
ndërkombëtare.
Në kuadër të programit “International Staff Week”, i cili po zhvillohet nga 12 deri më 16 maj
2025, Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Jusuf Zejneli, i shoqëruar nga Prof. Dr.
Bardhyl Dauti nga Fakulteti Ekonomik, po qëndron për vizitë zyrtare në Universitetin Uşak.
Gjatë kësaj vizite u firmos marrëveshja e bashkëpunimit ndërmjet dy universiteteve, e cila synon të
krijojë mundësi të reja në fushën e arsimit të lartë dhe kërkimit shkencor, përmes shkëmbimeve
akademike dhe profesionale të stafit dhe studentëve.
Ky bashkëpunim do të kontribuojë në rritjen e kapaciteteve akademike dhe ndërkombëtarizimin e
Universitetit të Tetovës, duke krijuar mundësi konkrete për projekte të përbashkëta, trajnime dhe
mobilitete në kuadër të programeve ndërkombëtare.
Universiteti i Tetovës mbetet i përkushtuar në ndërtimin e urave të reja të bashkëpunimit me
institucione të arsimit të lartë nga e gjithë bota, në funksion të ngritjes së cilësisë dhe përgatitjes së
kuadrove profesionale për tregun global.