Shtetasi i Maqedonisë akuzohet në Kroaci për kontrabandë ndërkombëtare të kokainës – u kap me 2.9 kg në kufi

Shërbimi kroat për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar (USKOK) ka përfunduar hetimin dhe ka paraqitur aktakuzë në Gjykatën e Qarkut në Osijek kundër një shtetasi 31-vjeçar të Maqedonisë, i arrestuar vitin e kaluar në pikën kufitare “Bajakovo”, i dyshuar për kontrabandë ndërkombëtare të kokainës.
Sipas aktakuzës, nga fillimi i vitit 2021 deri në nëntor të vitit 2024, i dyshuari ka lidhur disa persona të panjohur me qëllim të sigurimit, transportit dhe shitjes së sasive të mëdha të kokainës në Holandë, Çeki, Maqedoni dhe vende të tjera.
Sipas pretendimeve të prokurorisë, i dyshuari ka marrë në Holandë të paktën tri herë nga dy kilogramë kokainë të pastër, të cilën e ka fshehur në makinë dhe më pas e ka transportuar në Shkup, ku drogën ua ka dorëzuar blerësve të parapërcaktuar.
USKOK dyshon se ai ka marrë 5.000 euro për çdo dërgesë, duke përfituar në mënyrë të paligjshme të paktën 15.000 euro.
Në nëntor të vitit 2024, i dyshuari ka marrë tri paketa me gjithsej 2,9 kilogramë kokainë nga Haga, të cilat i ka fshehur në gomën rezervë të një veture të marrë me qira.
Gjatë rrugës për në Maqedoni, ku duhej ta dorëzonte drogën te klientët, ai kishte angazhuar një shofer të cilit nuk ia kishte treguar përmbajtjen e ngarkesës. Megjithatë, më 21 nëntor 2024, në pikën kufitare “Bajakovo”, gjatë kontrollit kufitar dhe bastisjes së veturës, u zbulua dhe u sekuestrua droga, ndërsa kontrabandisti u arrestua.
Në aktakuzë, USKOK ka propozuar vazhdimin e paraburgimit ndaj të akuzuarit, i cili ngarkohet për veprën penale të prodhimit dhe tregtisë së paautorizuar të drogës, e kryer si pjesë e një grupi kriminal të organizuar.