Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, në përgjigje të pyetjes gazetarske nëse Qeveria do ta mbështesë shkencën dhe nëse ka plan për këtë, sqaroi se për Qeverinë shkenca është shumë e rëndësishme dhe përbën një nga shtyllat e shtetësisë, prandaj për këtë vit, krahasuar me vitin 2024, buxheti për shkencën dhe projektet që lidhen me shkencën është dyfishuar.
“Po, po, shkenca është shumë e rëndësishme për ne. Përveç edukatës fizike, natyrisht që edhe shkenca është një nga shtyllat e shtetësisë dhe një segment shumë i rëndësishëm, sepse pa shkencë të fortë nuk ka të ardhme. Unë vij nga shkenca, nga një institucion i arsimit të lartë, nga Universiteti “Shën Kirili dhe Metodi”. Me kënaqësi mund të them se këtë vit, krahasuar me vitin 2024, buxheti për shkencën dhe për projektet që lidhen me shkencën është pothuajse i dyfishuar.
Nëse vitin e kaluar ai ishte pak më shumë se 5.5 milionë euro, diku rreth 340 milionë denarë, tani është diku rreth 660–670 milionë, 680 milionë denarë. Vlerësoj se ndoshta edhe kjo nuk është e mjaftueshme, sigurisht, por është shumë më tepër se ç’ka qenë më parë. Në periudhën që vjen do të fokusohemi edhe më shumë në financimin e shkencës. I ftoj të gjitha institucionet e arsimit të lartë, sektorin privat, Akademinë e Shkencave dhe të gjithë të tjerët të përfshihen dhe të dorëzojnë projektet e tyre që do të jenë inovative, shkencore, me të cilat do të arrijmë të dëshmojmë – se edhe ne, në kuptim shkencor, jemi krah për krah me botën e zhvilluar”, tha kryeministri.
Qëllimi i Qeverisë në këtë mandat është që universitetet të jenë në një nivel më të lartë, të paktën në mesin e 1000 universiteteve të para në renditjen e ardhshme të listës së Shangait.
“Prej atyre projekteve, shkencore dhe aplikative, pres të ketë shumë punime shkencore që do të publikohen në revista shkencore me faktor ndikimi. Dhe me këtë, universitetet do të jenë në një nivel më të lartë në renditjen e ardhshme të listës së Shangait.
E dini, qëllimi ynë është që në këtë mandat të jemi të paktën në mesin e 1000 universiteteve të para. Por kjo nuk varet vetëm nga Qeveria – kjo varet, sigurisht, edhe nga universitetet. Punojmë në baza shumë të shpeshta me Ministrinë e Arsimit dhe me universitetet dhe shpresoj se ky qëllim do të arrihet”, theksoi Mickoski.