Universiteti i Tetovës ishte pjesëmarrës në Forumin e Tretë dhe të fundit vjetor të projektit Inspireurope+, të organizuar nga Asociacioni i Universiteteve Evropiane (EUA), i cili u zhvillua javën e kaluar me mbi 200 pjesëmarrës nga Evropa dhe më gjerë në Paris.
Ky forum i rëndësishëm shënon përmbylljen e një projekti shumëvjeçar të financuar nga Bashkimi Evropian, i cili ka për qëllim mbështetjen e akademikëve në rrezik, të zhvendosur nga vendet e tyre për shkak të krizave politike, luftërave apo ndjekjeve për arsye të bindjeve akademike.
Gjatë forumit, Mr. Sc. Donika Kamberi drejtuese e Qendrës për Paqe ishte pjesë aktive e diskutimeve dhe tryezës së katërt të rrumbullakët të organizuar nga EUA, me fokus në mbështetjen e studiuesve ndërkombëtarë në rrezik ku mes tjerash prezantoi rekomandimet konkrete për këtë problematikë.
Në fjalën përshëndetëse të forumit, Ministri i arsimit të Francës z. Philippe Baptiste theksoi se: “Evropa ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në mirëpritjen e studiuesve në ekzil.” Ky mesazh u përforcua edhe nga diskutimet mbi nismat si #MSCA4Ukraine dhe programi #saferesearchers, të cilat janë dëshmi e nevojës dhe mbështetjes për akademikët në rrezik.
Pjesëmarrja e saj në këtë forum është dëshmi e angazhimit të Universitetit të Tetovës për mbrojtjen e lirisë akademike, solidaritetin dhe komunikimin transkulturor.