Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sot ka marrë pjesë në manifestimin përkujtimor në fshatin heroik Shqiponjë (ish-Jabllanicë), me rastin e 26-vjetorit të çlirimit të këtij vendbanimi, simbol i rezistencës shqiptare gjatë luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një fjalim emocional para të pranishmëve, Ahmeti u përkul me respekt ndaj 43 dëshmorëve të rënë për liri në këtë vatër historike të luftës, duke e quajtur Jabllanicën, krahas Gllogjanit dhe Prekazit, një nga “fortesat e lirisë dhe shtyllat kurrizore të UÇK-së”.

“Jabllanica, Gllogjani dhe Prekazi nuk ishin thjesht fshatra – ishin bastione të qëndresës që i treguan botës se populli shqiptar nuk përkulet para padrejtësisë dhe pushtimit,” u shpreh Ahmeti.

Ai theksoi se kujtimi për dëshmorët nuk duhet të mbetet vetëm ceremoni formale, por është një obligim kombëtar dhe politik për të gjithë shqiptarët, kudo që janë. Me tone të ashpra, Ahmeti paralajmëroi se nuk do të lejohet kurrë që historia të rishkruhet sipas interesave politike të përkohshme.

“Kjo tokë u çlirua me gjakun e më të mirëve tanë. Dhe përgjegjësia jonë politike është ta mbrojmë atë gjak me dinjitet, me guxim dhe vendosmëri – në Prishtinë, në Shkup, në Tiranë e në çdo tryezë ndërkombëtare ku flitet për të ardhmen tonë,” theksoi ai.

Në fund të fjalimit, Ali Ahmeti deklaroi se lavdia e dëshmorëve është e përjetshme dhe se UÇK-ja dhe ideali i saj për liri mbetet i gjallë në ndërgjegjen kombëtare shqiptare.

Lavdi dëshmorëve të Jabllanicës! Lavdi UÇK-së! Lavdi kombit shqiptar! – përfundoi Ahmeti mes duartrokitjesh të pranishmëve.