Shtyhet seanca përgatitore për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Ligjit për përdorimin e gjuhëve. Këtë e vendosi Gjykata Kushtetuese pas pranimit të shkresës nga kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, me të cilën e informoi Gjykatën se Gjykata Administrative ka shfuqizuar vendimin për zgjedhjen e gjykatëses Elizabeta Dukovska si gjykatëse kushtetuese, të marrë para dy vitesh. Nga Gjykata Kushtetuese thonë se veprimet e Këshillit Gjyqësor, Kuvendit dhe gjykatave administrative kanë shkaktuar precedent juridik me të cilin gjykata nuk është përballur më parë, andaj kjo ka sjellë pasoja ligjore në procedurat e saj.

“Gjykata vendosi: të shtyhet seanca përgatitore për çështjen e Ligjit për përdorimin e gjuhëve, e cila ishte paraparë për më 19 qershor 2025, për shkak se gjykatësja për të cilën është anuluar vendimi për zgjedhje me aktvendim të Gjykatës Administrative është raportuese për këtë çështje. Gjithashtu, Gjykata ka sjellë përfundim se shqyrtimi i kësaj lënde duhet të bëhet në përbërje të plotë”, thotë Gjykata Kushtetuese.

Ministri i Drejtësisë, Igor Fillkov, thotë se Këshilli Gjyqësor duhet të veprojë në përputhje me vendimin e Gjykatës Administrative, të përsëritë procedurën dhe të dorëzojë propozim të ri në Kuvend.

“Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetencë të rishqyrtojë vendimet e gjykatave, kjo është pjesë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor. Kompetencën për zbatimin e aktvendimit të Gjykatës Administrative e ka vetëm Kuvendi, përkatësisht në këtë rast Këshilli Gjyqësor. Prandaj, detyra e Këshillit Gjyqësor është që në përputhje me rekomandimet, pra vendimin e Gjykatës Administrative, të përsëritë procedurën, t’i marrë parasysh rekomandimet dhe të dorëzojë propozim të ri në Kuvend”, tha Igor Filkov.

Dukovska ishte zgjedhur gjykatëse kushtetuese në prill të vitit 2023, pas çka që atëherë për emërimin e saj padi parashtroi Antoaneta Dimovska e cila ishte një nga kandidatët për Gjykatën Kushtetuese.