Njëzet e pesë shkolla fillore nga viti i ardhshëm shkollor do të kenë mundësi të fusin gjuhën frënge si lëndë me zgjedhje në klasën e pestë, nëse nxënësit janë të interesuar ta mësojnë atë. Kjo është parashikuar në aneksin e memorandumit të bashkëpunimit midis Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe Ambasadës Franceze, i cili u nënshkrua sot nga ministrja Vesna Janevska dhe ambasadori Kristof Le Rigoler.

Për ministren Janevska, thellimi i bashkëpunimit për promovimin më të madh për mësimin e gjuhës frënge dhe avancimin e mësimdhënies së gjuhës frënge në sistemin arsimor maqedonas është konfirmim i miqësisë ndërmjet dy vendeve, e cila vazhdon të zhvillohet.

„ Mbështesim mësimin e gjuhës frënge, duke pasur parasysh se është një ndër gjuhët më të përdorura në botën globale, si dhe faktin se jemi Qeveri që inkurajon diversitetin gjuhësor. Përfitimet e njohjes së gjuhëve të tjera përveç gjuhës amtare, janë të shumëfishta. Kjo mundëson ndërtimin e urave midis popujve dhe kulturave, ndërsa aftësitë gjuhësore janë sot faktor thelbësor për përfshirje të suksesshme në tregun e punës, siç janë edhe aftësitë digjitale“, theksoi Janevska.

Ministrja shtoi se të rinjtë nga Maqedonia të cilët do të zotërojnë gjuhën frënge përmes komunikimit do të kenë mundësi edhe për afirmim më të madh të identitetit, gjuhës, historisë dhe trashëgimisë kulturore maqedonase.

Për mësimdhënie cilësore dhe më interesante të gjuhës frënge në klasën e pestë, Byroja e Zhvillimit të Arsimit tashmë është duke përgatit program mësimor për këtë lëndë me zgjedhje.