E kujt është Aleanca? – Saliu: Taravari ka mbështetje në elektorat, krahu i Fetait instrument qeveritar!

Kriza identitare në Aleancën për Shqiptarët: Tre fraksione, një parti dhe shumë paqartësi
Aleanca për Shqiptarët (ASH), njëra ndër partitë kryesore shqiptare në Maqedoninë e Veriut, po përballet me krizën më të thellë që nga themelimi i saj. Aktualisht, kjo parti është e përçarë në tri fraksione të ndryshme, ku secila palë pretendon përfaqësimin legjitim të subjektit: Ziadin Sela, Arben Taravari dhe Arben Fetai – të gjithë duke vepruar në emër të ASH-së, ndërkohë që anëtarësia dhe elektorati mbeten të hutuar.
Kronologjia e ngjarjeve
Gjithçka nisi para zgjedhjeve parlamentare të vitit 2024, kur Arben Taravari – në atë kohë lider i ASH-së dhe kryetar i Komunës së Gostivarit – vendosi të largohet nga koalicioni qeverisës me LSDM-në dhe BDI-në, duke iu bashkuar opozitës nëpërmjet Lëvizjes Evropiane për Ndryshim (LEN), e cila më vonë mori emrin VLEN. Ky hap nuk u mirëprit nga të gjitha strukturat e partisë.
Në kundërpërgjigje, një pjesë e anëtarësisë së ASH-së vendosi të rikthejë në krye të partisë themeluesin Ziadin Sela, duke e pozicionuar këtë krah politik në opozitë dhe në kuadër të Frontit Evropian.
Situata u komplikua më tej kur Arben Fetai, një figurë më pak e profilizuar publikisht, shpalli formimin e një të ashtuquajturi “Këshill Koordinues” të ASH-së, i cili vendosi të mbajë lidhje me koalicionin qeveritar VLEN dhe VMRO-DPMNE, duke zënë postet që më parë i përkisnin ASH-së së drejtuar nga Taravari. Kjo lëvizje ka krijuar një situatë të paqartë, ku tri palë politike veprojnë paralelisht në emër të së njëjtës parti.
Në kërkim të përfaqësimit legjitim
Kjo përçarje ka çuar në një përplasje të ashpër për përfaqësimin legjitim të ASH-së, si në arenën politike, ashtu edhe në instancat gjyqësore. Krahu i Taravarit dhe Selës janë tashmë në proces gjyqësor për të përcaktuar kush ka të drejtën ligjore të përfaqësojë partinë. Ndërkohë, krahu i Fetait vazhdon qeverisjen, me sinjale të qarta për një shkrirje të mundshme të plotë në subjektin VLEN.
Saliu: Taravari ka më shumë mbështetje në elektorat, ndërsa krahu i Fetait duket se funksionon si një instrument qeveritar
Gazetari dhe analisti Urim Saliu komenton për “Flaka” se Aleanca për Shqiptarët rrezikon të shuhet nga skena politike si subjekt i pavarur për shkak të paaftësisë së liderëve të saj për të menaxhuar ambiciet personale dhe ndarjet e brendshme.
“Aleanca ishte e të gjithëve, por tashmë rrezikon të mos jetë e askujt. Të gjithë kërkojnë hise. Është një luftë e brendshme për dominim, e cila, në fund, mund të rezultojë me humbjen e të gjithëve. Për momentin, Arben Taravari ka më shumë mbështetje në elektorat, ndërsa krahu i Fetait duket se funksionon si një instrument qeveritar për të mbuluar përçarjet deri në zgjedhjet e tetorit,” thekson Saliu.
Ai propozon që zgjedhjet e ardhshme lokale apo parlamentare të shërbejnë si pikë referimi për të parë se cili fraksion gëzon më shumë përkrahje popullore, duke garuar veçmas, pa mbështetjen e ndonjë koalicioni të madh:
Aleanca në thelb është e Arbër Xhaferit, por më pas “ fëmijët “ e këqinj të politikës e copëtuan atë dhe rrezikojnë ta shuajnë atë.
Të gjithë kërkojnë hise.Nuk dihet saktë se kush e përcan më shumë atë, por ajo po tretet dhe kjo është ajo përgjigja e vështirë ta japësh se kujt në fakt I takon ajo.Sapo ta japësh një shpjegim për këtë, del një Aleancë tjetër, dhe pastaj një e tretë, ndoshta edhe një e katërt.
Kjo tregon se faji është tek disa individë që duket se nuk I bëjnë mirë llogaritë dhe në luftën se kush do ta drejtojë atë, rrezikojnë ta shuajnë krejtësisht.
Për momentin në elektorat mbështetje më të madhe ka Arben Taravari, ndërsa Arbeni I fundit mes shumë të tillëve në këtë parti që nga krijimi, më shumë mbrohet nga VLEN-I se sa nga mbështetësit.
Përmes Arbenit të fundit Qeveria dëshiron të mbulojë përcarjet e koalicionit të paktën deri në tetor sepse më pas nuk do vlejnë më këto rregulla.
E drejtë do të ishte që për të përcaktuar saktë se e kujt është më shumë Aleanca, është që në zgjedhjet e tetorit të dilnin secili vetëm , pa mbështetjen e asnjë partie tjetër, që të shihet se kush më tepër do ketë mbështetje elektorale.
Me një fjalë, Aleanca ishte e të gjithëve, por tashmë rrezikon të mos jetë e askujt sepse partitë tjera vëzhgojnë nga distance si” hienat” pas presë së luanëve për të përfituar dicka se kush do shkëpus më shumë elektorat nga ky subject shkaku i pakënaqësive.
Një subjekt – tre rrugë të ndryshme
Aktualisht, ASH-ja e Ziadin Selës vepron në opozitë në kuadër të Frontit Evropian, ASH-ja e Arben Taravarit po mundohet të konsolidojë një bllok të ri opozitar, ndërsa krahu i Arben Fetait bashkëqeveris me VMRO-DPMNE-në. Ndërkohë që beteja ligjore për pronësinë e partisë vazhdon, elektorati shqiptar mbetet i lodhur nga grindjet e brendshme, ndërsa partitë tjera – siç thekson Saliu – “vëzhgojnë si hienat” për të kapur ndonjë pjesë të votës së zhgënjyer.Flaka