Pasagjeri nga India kapet me dhjetëra gjarpërinj helmues në valixhe gjatë fluturimit për në Tajlandë

Një pasagjer në avionin që po fluturonte nga Mumbai në Tajlandë, kishte marrë me vete dhjetëra gjarpërinj helmues, përfshirë dhe 44 gjarpërinj indonezianë tejet të rrezikshëm.
Siç shkruhet në mediat e huaja, ai i kishte fshehur gjarpërinjtë e llojeve të ndryshme në valixhen e tij.
Mësohet se bëhet fjalë për një indian, por nuk ka më shumë detaje mbi identitetin e tij.
Ai ka rënë në prangat e policisë, ndërsa rasti cilësohet si shumë i rrallë, pasi zakonisht në aeroporte ose dogana oficerët gjejnë lëndë narkotike, ar apo mallra të tjera kontrabandë.
Megjithatë në fluturimet për në Tajlandë, së fundmi, janë kryer disa sekuestrime të ngjashme, ku shihet tendenca e trafikantëve për kontrabandë të kafshëve të egra ekzotike apo të rrezikuara në vend.