Pas dy vitesh larg futbollit, Hasan Salihamidzic mund të rikthehet në futbollin profesionist dhe një klub i madh evropian po e konsideron seriozisht për ta marrë në rolin e drejtorit sportiv.

Largimi i Salihamidzic nga Bayern në vitin 2023 u shoqërua me kritika të shumta për periudhën e tij te kampionët gjermanë. Që atëherë, ai ka qenë jashtë fushës së menaxhimit sportiv.

Megjithatë, 48-vjeçari mund të marrë një tjetër rol të rëndësishëm. Sipas Tuttosport, ai është një nga tre kandidatët për postin e drejtorit sportiv te Juventusi.

Klubi torinez është në fazë ristrukturimi pas disa sezonesh të dobëta dhe një performance jo bindëse. Trajneri Igor Tudor, i ardhur në mars, ka dhënë shenja pozitive dhe pritet të vazhdojë.

Juventusi ka emëruar së fundmi Damien Comolli si drejtor të përgjithshëm dhe Giorgio Chiellini si drejtor të vëzhgimit. Ata do të mbështeten nga një drejtor sportiv, ku Salihamidzic shihet si një alternativë serioze.

Boshnjaku vlerësohet lartë nga Chiellini, me të cilin ka qenë bashkëlojtar, dhe ka ruajtur marrëdhënie të mira me klubin italian edhe pas largimit të tij si lojtar.

Kandidatët e tjerë për këtë rol janë Diego Lopez, ish-drejtor sportiv i RC Lens, dhe Matteo Tognozzi, që së fundmi punoi te Granada dhe më parë ishte pjesë e strukturës së Juventusit si skaut.