Në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka nisur seanca gjyqësore ndaj Naim Murselit, Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës, të akuzuar për vrasjen e Liridona Ademajt.
Të tre të pandehurit janë zyrtarisht të akuzuar nga prokuroria për ngjarjen tragjike të ndodhur më 29 nëntor 2023, ku sipas aktakuzës, Naim Murseli dyshohet se ka organizuar vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademajt, me ndihmën e Granit Plavës dhe Kushtrim Kokallës.
Seanca po zhvillohet nën masa të rrepta sigurie, mirëpo mungon pala e dëmtuar, përfshirë edhe përfaqësuesi i familjes së viktimës, të cilët nuk janë paraqitur në sallë, shkruan IndeksOnline.
Në këtë fazë të procesit pritet të shqyrtohen provat dhe të dëgjohen deklarimet e të akuzuarve, për një nga rastet më të rënda që ka tronditur opinionin publik.