Këshilli Gjyqësor i RMV-së e shkarkoi gjyqtarin Enver Bexhetin i cili u gjet në “listën e zezë” amerikane, por ai ka të drejtë ankese. Sipar kryetarit të Këshillit, Aleksandar Kambovski, nëse është i pakënaqur me vendimin, Bexheti ka të drejtë për procedurë ankimimi.

“Çdo gjyqtar që shkarkohet ka të drejtë ankese në këshillin ankimor pranë Gjykatës Supreme. Ai është një këshill i veçantë i përbërë nga gjyqtarë të Gjykatës Supreme, Apelit dhe gjyqtarëve themelore”, tha Kambovski.

Lidhur me lirimin nga paraburgimi të Asmir Jahoskit, rast për të cilin ditëve të fundit është komentuar shumë, Kambovski theksoi se për këtë veprim gjyqësor ishte informuar nga mediat.

“Ky është një vendim gjyqësor, ndërsa nga ajo që kam ndjekur në media, atje pëlqimin e ka dhënë Prokuoria Themelore Publike. Këshilli Gjyqësor nuk ka kompetencë të ndërhyjë në çdo vendim gjyqësor, pasi çdo ditë merren me mijëra vendime gjyqësore”, tha njeriu i parë i Këshillit Gjyqësor në përgjigjen e pyetjes së gazetarëve pas pauzës së seancës së sotme të Këshillit Gjyqësor të RMV-së.