Xhani De Biazi ishte në stolin e Shqipërisë në ndeshjen e mallkuar të Beogradit në tetor 2014, ndonëse këtë herë dëshira e tij është të flasë për futboll.
Ish-trajneri kuqezi, në intervistën për Abc News, ka besim se kombëtarja ka shanset e veta ndaj Serbisë.
“E qartë që këto eliminatore nuk janë aspak të lehta. Anglia është skuadra favorite në mënyrë absolute. Pastaj për vendin e dytë, që të jep mundësi të luftosh për kualifikim, mendoj se do të jetë shumë e rëndësishme ndeshja e kësaj të shtune në Tiranë kundër Serbisë. Serbia është e fortë, me lojtarë mjaft të mirë. Gjithsesi, e rëndësishme është që ne kemi lojtarë me cilësi të madhe dhe që mund të luajnë mirë. Shumë prej tyre luajnë në kampionate të rëndësishme, shumë në Serinë A italiane. Pra, Shqipëria ka një skuadër të një cilësie shumë të lartë”.
Si mund të fitohet ndeshja e sotme ndaj Serbisë?
“Me inteligjencë, me guxim dhe me vendosmëri të madhe, duke u përpjekur që të luajnë shumë të mbledhur, duke kërkuar dominimin e lojës, duke vrapuar shumë, dhe duke u përpjekur për t’i vënë në vështirësi me cilësinë e disa prej lojtarëve tanë, sidomos në krahë. Varet mjaft nga cili do të luajë në sulm. Nuk e di cilat do të jenë zgjedhjet e Silvinjos. Gjithsesi, ai do të bëjë zgjedhjet e tij me synim për ta fituar ndeshjen”.
A do të ketë ndikim këtë herë ajo që ndodhi në 2014?
“Jo, mendoj që nuk do të ketë asgjë. Kanë ndodhur ngjarje në të kaluarën, por ndeshja duhet të jetë thjesht futboll, duhet të jetë sport. Kjo vlen më shumë se gjithçka tjetër, dhe do të tregojë aftësinë që ka Shqipëria për të përballuar edhe përballje të tilla, kur dihet se në të kaluarën ka pasur probleme, shqetësime, vuajtje apo nervozizëm, madje edhe gjëra më të rënda. Duhet të konfirmojmë veten, duhet të provojmë të fitojmë në fushë. Kënaqësia që vlen është të mundësh Serbinë në shtëpinë tënde, pa kërkuar ndonjë situatë jonormale”.
A beson De Biazi se Shqipëria mund të kualifikohet për në Botëror?
“Unë besoj padyshim, dhe besoj se duhet të besojnë të gjithë sepse ajo që ka rëndësi është të besojnë djemtë. Besimi im nuk vlen shumë. Duhet të besojë trajneri, dhe besoj se ai ka besim. Është e qartë se nuk është kaq e thjeshtë, por gjithçka është e vështirë përpara se t’a dalësh. Vetëm kur ndodh, të duket e lehtë. Eliminatoret duhet t’i luajmë me inteligjencë, me vendosmërinë e duhur, me krenari dhe me zotësi”./abcnews.al