Futbollisti i Përfaqësueses së Maqedonisë së Veriut, Elif Elmas mbrëmë zhvilloi një ndeshje të shkëlqyer kundër Belgjikës, ndërsa ishte një nga më meritorët për pikën e fituar, përcjell TV21. Maqedonia luajti 1:1 ndaj favoritit të madh, edhe pse kishte raste për ta fituar të gjithë ndeshjen. Maxim De Cuyper shënoi në në minutën e 28-të, ndërsa barazoi Ezgjan Alioski në minutën e 86-të.

“Mund të pendohemi që nuk e mundëm Belgjikën. Në disa momente nuk patëm fat. Kishim dy shtylla në pjesën e parë. Luajtëm në një nivel të lartë dhe duhet të jemi të kënaqur me lojën tonë. Tani shkojmë për fitore kundër Kazakistanit. Shpresoj të marrim tre pikë dhe të mbetemi në garë për kualifikim në Botëror”, deklaroi Elmas pas ndeshjes me Belgjikën.

Në renditjen e Grupit J të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2026, kryeson Uellsi me 7 pikë, Maqedonia ka 5 pikë, Kazakistani ka grumbulluar 3 pikë, Belgjika ka 1 pikë, ndërsa Lihtenshtajni nuk ka asnjë pikë pas 3 ndeshjeve.