Trajneri i Serbisë, Dragan Stojkoviç, duket se do ta kërkojë tripikëshin seriozisht në “Arenën” e Tiranës, dhe sipas mediave nga Beogradi, rivali I Shqipërisë do të luajë në sulm.
Siç informon, “B92”, të gjitha kalkulimet të çojnë në përfundimin se kombëtarja serbe do të ketë në fushë si titullare dyshen kryesore sulmuese të përbërë nga Dushan Vlahovic dhe kapiteni Aleksandar Mitrovic.
Edhe pse “B92” tregohet e kujdesshme duke shtuar se Stojkovic është I paparashikueshëm kur vjen puna për formacionin, të dhënat nga kampi I kombëtares janë për skemë me dy sulmues.
Jovic I Milanit do të jetë I gatshëm në stol.
Në mesfushë, regjia do t’i jepet yllit të ri të Atalantës, Samarxhiç, shok skuadre me kapitenin kuqezi, Berat Gjimshiti.
Edhe pse nuk ka luajtur shpesh titullar në Serinë A, Samarxhiç ka padyshim talent dhe vizion, ndërsa në krah të tij priten veterani Gudelj dhe Lukiç që ka qenë shumë në formë në Angli tek Fulham.
Skema e trajnerit Stojkovic pritet 3-5-2, që mund të zbërthehet në 3-2-3-2, pra me mbrojtje me tre lojtarë, të përbërë nga Pavlovic I Milanit, Milenkovic dhe Erakovic, dhe me dy mesfushorë difensivë përpara tyre, si Terzic dhe Zhivkovic.