Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Altin Rraklli, përmes një lidhje me video-telefonatë për “Sport News” në “News24”, u shpreh se kjo është ndeshje për tifozët, pasi sipas tij ata përjetojnë më shumë emocione se ne të tjerët.
Ndërsa në aspektin sportiv, Rraklli pohoi se për objektivat që ka Kombëtarja, duhet patjetër fitorja ndaj Serbisë, pasi ajo vlen në shumë aspekte. “Kjo sfidë më shumë përjetohet për tifozët. Më thotë një miku im se pse nuk po vjen të shohim sfidën me Serbinë? I them se kësaj here duhen tifozët në stadium, unë do ta ndjek nga televizori. Droni i prishi të gjitha në Beograd në sfidën e parë, por mënyra se si u soll publiku serb, nuk mund të ndodh edhe mes armiqsh, pasi ishte thjesht një ndeshje futbolli.
Ndërsa ne e treguam krejt ndryshe organizimin, vetëm ekipi u tregua më i butë në fushën e lojës dhe humbëm. Të gjithë duhet të mendojmë tani se si të fitojmë, pasi fitojmë në të gjitha aspektet. E para na duhet për kualifikimin, sepse po e humbëm atë ndeshje, zbehen shumë shanset. Barazimi nuk do të ishte fundi i botës, por nëse pretendojmë, duhet vetëm fitore dhe djemtë duhet ta tregojnë në fushë urinë për sukses”, u shpreh ish-sulmuesi kuqezi, Altin Rraklli.
SI DO TË LUAJË KOMBËTARJA
Altin Rraklli, ish-sulmues i Kombëtares shqiptare, ka edhe një ide se si mund të luajë Shqipëria në vijën e parë sulmuese, teksa mendon se duhet të jenë tre lojtarë, sipas skemës që ka Silvinjo. Rraklli mendon se këtë herë mund të mos luajë Asani në krahun e djathtë dhe në vend të tij të jetë Armando Broja dhe në majë të sulmit Mirlind Daku, pasi janë dy futbollistë me potencial dhe mund të çajnë mbrojtjen serbe. Ndërsa në krahun tjetër sugjeron Nedim Bajramin.
“E kemi të vështirë të japim emra para ndeshjes se si do të luajë Shqipëria kundër Serbisë. Trajneri ka zgjedhur një modul me tre sulmues, ose një në krye dhe dy gjysmësulmues në krah. Se si do të luaja unë, e kam sekret… Nëse Silvinjo vazhdon me të njëjtën dashuri për Asanin, do të luajë me të në krah. Por mendoj se do të luajë me Dakun në qendër, Broja dhe Bajrami në krah. Unë kam besim shumë te sulmi ynë dhe mendoj se do të fitojmë, 1-0, i qëndroj asaj, nuk jam i bujshëm”, deklaroi Altin Rraklli.